Kriza në veri të vendit, vazhdon të jetë problematike për bizneset në Kosovës. Krahas shqetësimit me import e eksport, imazh të keq i jep për investitorë që duan të investojnë në Kosovë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, situatën në veri e quan kancer dhe zonë të rrezikshme për Ballkanin Perëndimor.
Ai thotë se kriza atje, është peng i politikave të gabuara dhe imazh për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Realisht veriu i Kosovës është bërë kanceri dhe zona më e rrezikshme në Ballkan sa i përket imazhit, investimeve dhe integrimit të Kosovës. Është peng i politikave të gabuara vendore e ndërkombëtare dhe këtë po e vuan edhe ekonomia për shkak se gazetat më prestigjioze botërore e kanë përcjellë ngjarjen e veriut e sidomos ato skenat të cilët pamëshirshëm sulmohen ushtarët paqeruajtës të KFOR-it”.
“Kjo dërgon një imazh të keq për neve sepse atje nuk ekziston sovraniteti i Kosovës ku mbikëqyrjen e kanë institucionet e Kosovës por institucionet legale dhe kriminale të vendeve të ndryshme në krye me Serbinë”, thotë Shahini.
Shahini ka kërkuar që për veprimet në veri të bëhen me koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Ai thotë se Kosova gjendet para një udhëkryqi të izolimit dhe të sanksionimit.
“Mendoj që politika jonë është sjellë në mënyrë jo të drejtë publike por me të drejtë kushtetuese dhe këto janë gjëra që duhet harmonizuar me faktorin ndërkombëtarë. Mungesa e koordinimit me faktorin ndërkombëtar, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Asnjë veprim nuk duhet ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në mëngjes pa u konsultuar në mbrëmje me miqtë tanë aleat. Kjo neve po na kushton dhe Kosova gjendet para një udhëkryqi të thellë dhe të madh të izolimit dhe të sanksionimit”, thotë tutje Shahini.
Krahas sfidës me veriun, kompania për prodhimin e këpucëve “Solid”, ka probleme me shtetin.
Pronari i kësaj kompanie, Shefqet Kuçi thotë për Ekonomia Online, se institucionet kosovare nuk po i blejnë çizmet e këpucët për policinë e ushtrinë.
“Sfidat e kompanisë sonë pamarre parasysh, është në pyetje si të prodhohet. Edhe pse pothuajse lënda e parë importohet, ne prapë ia dalim. Ne i kemi afër 290 punëtorë, kemi arrit prapë që prodhimin mos ta ndalim, edhe pse ka qenë pandemia ne prapë nuk e kemi ndalë. Mbi 76 për qind eksportojmë, punojmë për brendet e njohura, Francën, Italinë, Gjermaninë e shumë vende tjera”.
“Problemi më i madh këtu që si kompani na mundon është se përderisa ne eksportojmë mbi 76 për qind dhe Evropa e mirëpret prodhimin tonë, atëherë pse Kosova nuk i përdor prodhimet tona, e në veçanti dua të flasë për shtetin, sepse institucionet tona nuk marrin çizme për policinë e ushtrinë. Këpucën gjithashtu për institucionet nuk e marrin”, u shpreh Kuçi.
Ai ka deklaruar se më herët, këto pajisje për institucionet e drejtësisë kanë ofertuar me një çmim prej 24 euro copën.
“Kemi informata se e marrin prej atij vendi që vazhdimisht e kanë marrë, ne kemi prodhuar një kohë për policinë këpucën, çizmen por shumë raste e kemi marrë me një çmim 24 euro, që është çmim qesharak krahasuar me çfarë (çmimi) e kanë marrë”, u shpreh tutje ai.