Deri para se furnizimin me energji elektrike ta merrte KEDS-i, borxhi vjetor i harxhimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë 20 milionë euro, ose 160 milionë euro që nga paslufta, ndërkohë KEDS-i shpërndan rreth 5,3 për qind të totalit të energjisë elektrike në veri të Kosovës, ose rreth 7 milionë euro, të cilat trajtohen si humbje komerciale
Në veri të Kosovës, rrymën dhe ujin edhe më tutje nuk e paguajnë as shqiptarët e as serbët. Në fakt, dy kompanitë që furnizojnë veriun me rrymë dhe ujë, KEDS-i, përkatësisht Ujësjellësi Rajonal Mitrovica nuk kanë arritur asnjëherë t’ua faturojnë qytetarëve, ndërmarrjeve dhe bizneseve, rrymën dhe ujin e harxhuar.
Derisa për ujin që u dërgohet serbëve në veri të Kosovës paguan Qeveria e Kosovës, shpenzimet e energjisë elektrike në veri, të cilat trajtohen si humbje komerciale i mbulon Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, shkruan Zëri.
Më përpara KEK-u, e tani edhe kompania që ka privatizuar distribucionin, “Limak-Çelik”, e njohur si KEDS, nuk kanë qasje në pjesën veriore. Madje, këta të fundit nuk dinë saktësisht sa është borxhi i mëparshëm si dhe për borxhet që i ka veriu pas ardhjes së tyre. Aktualisht KEDS-i është furnizues publik në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. /Zëri/PrishtinaPress.eu