Site icon PrishtinaPress

Verifikohen mbi 17 mijë nënshkrime të qytetarëve për tërheqjen nga Trusti

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ishin dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin, i cili do tu mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale – Trust.

Këto nënshkrime iu janë nënshtruar verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha për Kallxo.com, se pas kërkesës nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, këto peticione iu janë nënshtruar verifikimit dhe rezulton se mbi 17 mijë nënshkrues të peticionit janë qytetarë me të drejtë vote të Republikës së Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbushur detyrimet ligjore në pajtim me Ligjin për Nisma Legjislative 04/L-025.. Pas procesit të verifikimit të listës së nënshkrimeve të peticionit, rezulton se 17,197 nënshkrues të peticionit janë qytetarë me të drejtë vote të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, KQZ-ja e ka verifikuar listën e nënshkrimeve në raport me listën e fundit të votuesve, e cila i takon zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021 dhe të cilën e posedon KQZ-ja.

Lidhur me këtë, Elezi tha se të enjten e javës së kaluar e kanë informuar zyrtarisht kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Opozita në përkrahje të nismës legjislative nga qytetarët për tërheqjen nga Trusti

Subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë shprehur se nuk do të mungojë përkrahja për këtë nismë legjislative, duke përmendur se është domosdoshmëri që qytetarëve t’iu ipet kjo mundësi në këtë krizë ekonomike.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se qëndrimi i tij dhe i partisë së tij nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, edhe në iniciativën e kaluar e cila ishte nga PDK-ja për tërheqjen e një pjese të Trust-it, ka pasur vlerësime se për shkak të gjendjes ekonomie dhe shtrenjtimit enorm të produkteve bazike duhet të përkrahet iniciativa.

“Qëndrimi nuk ka ndryshuar edhe në iniciativën e parë ka pas vlerësime që për shkak të gjendjes ekonomike që po kalon qytetari i Kosovës sidomos pas shtrenjtimit enorm të produkteve bazike ndërkohë nga mungesë totale të kujdesit të qeverisë për këtë çështje e bënë të domosdoshme mundësinë e tërheqjes së një përqindje të caktuar të parave të kursyera”- tha Selmanaj për Kalllxo.com.

Selmanaj tha se kjo iniciativë do ta ketë përkrahjen e tij dhe beson se do ta ketë edhe përkrahjen e grupit parlamentar të LDK-së ashtu siç kishin në iniciativën e parë që për shkak të shumicës politike parlamentare në Kosovë u rrëzua.

Deputeti vlerëson se numri i qytetarëve nënshkrues mund të jetë edhe më i madh sesa ata që kanë nënshkruar. Selmanaj po ashtu tha se njerëzit po ballafaqohen çdo ditë me rritje të jashtëzakonshme të produkteve bazike.

Përveç mundësisë për tu tërhequr një pjesë e parave të kursyera në Trust, Selmanaj tha se duhet të hiqet akciza dhe TVSh-ja në disa produkte përfshirë edhe naftën.

“Nuk është se bëhet zgjidhje e madhe me atë mundësi por iu lehtësohet pak a shumë kalimi i kësaj situate bukur të rëndë ekonomike e cila po i përfshinë Kosovën. Qëndrimi im dhe i grupit parlamentar të LDK-së është se është domosdoshmëri që qeveria të krijoj një mundësi të tërhiqet një pjesë e caktuar por edhe të ndërmarr masa tjera të domosdoshme për ta lehtësuar jetën në Kosovë siç është mundësia për ta heq akcizën apo TVSh-në në disa produkte bazike në Kosovë përfshirë këtu edhe naftën e cila do të ishte lehtësi e madhe për njerëz”- theksoi Selmanaj.

Selmanaj, shtoi se qeveria e ka humbur ndjeshmërinë ndaj halleve, shqetësimeve dhe problemeve që i kanë njerëzit në Kosovë dhe dyshon se do të reflektojnë karshi kësaj nisme.

“Por, kjo qeveri ka dëshmu dhe po e dëshmon se jetën e njerëzve në Kosovë ekonomik e social as që e ka në fokusin e vet. Çdo ditë kryeministri kërcënon me tema gati inekzistente, luftë etj, nga pa aftësia e tij për tu dal në krah njerëzve të cilët i kanë besu dhe për të cilët ka mandat kushtetues të kujdeset për jetën e njerëzve në Kosovë. Papërgjegjësia e dëshmuar e kësaj mazhorance qe një vit e gjysmë më bënë të dyshoj që këta kanë hapësirë për reflektim”- përfundoi ai.

Deputeti opozitar nga PDK-ja, i cili ishte përkrahës i këtij peticioni gjithashtu edhe iniciuesi i cili kishte prezantuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensionale të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se brenda 8 ditëve qytetarët kishin mbledhur mbi 21 mijë nënshkrime për Projektligjin për Trustin, nga të cilat sipas tij KQZ-ja ka konfirmuar se mbi 17 mijë janë sipas regjistrit të votuese.

Ky angazhim qytetarë sipas tij ka ardhur për shkak të krizës së madhe ekonomike dhe inflacionit.

Haxhiu tha se e kanë mbështetur këtë iniciativë qytetare, duke proceduar me nënshkrimet e tyre Projektligjin për Trustin për votim në Kuvend, por deputetët e pushtetit sipas tij e rrëzuan.

Ndërkaq, tani kur iniciativa buron nga qytetarët Haxhiu tha se deputetët do të duhej ta dëgjonin zërin e qytetarëve.

“Tani Projektligji për Trustin buron drejtpërdrejt nga qytetarë është me nënshkrimet e tyre dhe deputetët do të duhej ta dëgjojnë zërin e qytetarëve. Disa nga ata kanë qenë të gatshëm edhe në sesionin e kaluar ta votojnë por Qeveria Kurti ushtroj presion mbi ta për të mos e votuar Projektligjin për Trustin”, shtoi Haxhiu.

Haxhiu ka treguar se në mbledhjen e parë Kryesia e Kuvendit e ka për obligim që Projektligjin ta procedojë për mendimin në Qeveri, ndërsa brenda 30 ditëve Qeveria duhet ta jap mendimin për Projektligjin.

“Pas mendimit të Qeverisë, Projektligji u shpërndahet për votim deputetëve të cilët brenda 4 javë pune duhet ta votojnë ne seancën e Kuvendit”- tha ai.

Edhe Albana Bytyqi, deputete e AAK-së tha se ky numër kaq i madh i nënshkrimeve është vetëm dëshmi e një gjendje të rënduar ekonomike për familjet kosovare të cilët sipas saj, përmes kursimeve pensionale po duan të tejkalojnë sadopak krizën financiare.

Ajo tha se Trusti është i qytetarit dhe paratë janë të qytetarit.

“Përderisa Qeveria nuk ka vizion të qartë, nuk krijon politika që ndikojnë në mirëqenien e tyre, por e ka futur veten në gjumë të thellë, bën sikur nuk e ka idenë se çfarë është duke ndodhur me popullin e saj. Madje dalin me deklarata qesharake dhe flasin për rritje të paparë ekonomike. Kjo çfarë janë duke bërë ata, është ofendim për çdo qytetar”- tha Bytyqi.

Deputetja opozitare e AAK-së shtoi se që nga fillimi e kanë përkrahur këtë nismë edhe pse këtë ide fillimisht sipas saj e kishte dhënë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

“Sidoqoftë ne do të jemi gjithmonë në çdo nismë që është ndihmë për qytetarin. Ne madje, u patëm rreshtuar me qytetarët dhe kemi protestuar bashkë me ta duke bërë thirrje që në Kuvend të votohet pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti Pensional”, theksoi Bytyqi.

Bytyqi shtoi se nuk kanë parë disponim nga mazhoranca se do të ndryshojnë qëndrim.

“Deri tash nuk kemi pa disponim nga mazhoranca se do të ndryshojë qëndrim. Ne nuk do të dorëzohemi për të adresuar kërkesat e qytetarëve dhe të njëjtat të marrin vëmendjen që meritojnë. Shpresojmë që këta deputetë që po shprehen më mënyrë kategorike kundër TRUST-it  të reflektojnë dhe të mendojnë përtej interesave partiake dhe uroj që kjo të ndodh pasi ky është momenti i duhur që qytetarët të ndjejnë dorën e shtetit dhe të mos ua vështirësojë jetesën por t’ua lehtësojë”, shtoi ajo.

Kallxo.com, ka drejtuar pyetje te shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dhe ka komunikuar me deputetin e shumicës parlamentare Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja për të marr koment lidhur me peticionin e nënshkruar nga qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe cili do të jetë qëndrimi i LVV-së për këtë nismë legjislative, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Projektligji për Trustin, kishte dështuar të votohet më 23 qershor në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm 44 vota të partive opozitare ishin pro këtij Projektligji derisa 57 deputetë të pozitës kanë votuar kundër. Vetëm një ka abstenuar.

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional të Kosovës ishte iniciuar nga PDK-ja derisa ishte përkrahur nga partitë e tjera opozitare. Ndërkaq, LVV, ka dalë kundër.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ishin shprehur se nuk do ta mbështesin propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e një përqindje të parave nga Fondi pensional.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kishte thënë se ky propozim nuk do e ketë mbështetjen e LVV-së, sepse koncepti i Trustit sipas saj ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve pas moshës 65-vjeçare.

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë, për arsye se vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65 vjeçare kur ata përfundojnë kontributin për fondin pensional”- kishte thënë Kusari-Lila në mars të këtij viti.

Sipas Ligjit për Nisma Legjislative, thuhet se ky ligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për nisma legjislative.

Nisma për të propozuar ligje mund të bëhet nga më së paku 10 mijë qytetarë me të drejtë vote, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe nga deputetët e Kuvendit.

Exit mobile version