Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një shtëpi në Leposaviq të dielën në mesditë, pas arrestimit të një personi, që u kap në flagrancë me armë ilegale. Gjatë kontrollit, njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar armë gjuetie, rreth 100 fishekë, radiolidhje e prova të tjera.
I dyshuari është arrestuar në mesditë, kur fillimisht është kapur me dy armë dhe disa fishekë, e më pas Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij.
Pas përfundimit të aksionit, ne vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar dy armë gjuetie dhe disa fishekë pa leje valide. I njëjti ka pranuar se në shtëpinë e tij posedon edhe fishekë të tjerë dhe gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, janë gjetur dhe konfiskuar 88 fishekë, një GPS, 4 radiolidhje, jelek gjuetie, dy palë dylbi, një harkë me tri shtiza, një kamerë, dhe disa dokumente që ndërlidhen me armë të gjuetisë.”