1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Veprimet e fundit do të ndikojnë në bashkëpunimin tonë”, ShBA godet edhe ministrinë e Sveçlës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri do të ndikojnë në partneritetin mes dy shteteve si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme të drejtuar nga Xhelal Sveçla.

Në komunikatën e publikuar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, ShBA ka qortuar ashpër Qeverinë e Kosovës.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në komunikatë.

ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë”, u tha në njoftim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img