0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Vendoset gurthemeli i objektit të Komunës së Shtimes, investim me vlerë 2.5 milionë euro

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të Komunës se Shtimes. Aty ai ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të cilët u mirëpriten nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Me një sipërfaqe rreth 2500 metra katrorë, objekti i ri i Komunës është i projektuar për mbi 100 punonjës të Komunës, dhe ka rreth 40 zyre pune. Ky projekt është realizuar si bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Shtimes, me vlerë afro 2.5 milionë euro.

“Sot po ia vëmë gurthemelin dhe pas 18 muajve do ta kemi këtë ndërtesë të re me tre kate dhe me bodrum gjithsej rreth 2500 metra katrorë, me ç’rast do të jenë rreth 40 zyra për mbi 100 të punësuar”, deklaroi kryeministri Kurti, duke shtuar se vjetërsia e objektit aktual është një ndër arsyet e ndërtimit të objekt të ri për komunën.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrat e pranishëm për bashkëpunimin, duke besuar se ndërtesa e re do të jetë një objekt i denjë si për administratën dhe komunën, ashtu edhe për qytetarët e komunës.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Unë jam shumë i gëzuar që ndodhem sot në Komunën e Shtimes, bashkë me kryetarin e komunës, doktor Qemal Aliun dhe me ministrat Xhelal Sveçlën dhe Elbert Krasniqin, dhe me kolegë të tjerë edhe nga Qeveria e Parlamenti, edhe nga komuna këtu, për ta bërë vendosjen e gurthemelit të ndërtesës së re të komunës së Shtimes, e cila do të përmbyllet brenda 18 muajve.

Pra, sot po ia vëmë gurthemelin dhe pas 18 muajve do ta kemi këtë ndërtesë të re me tre kate dhe me bodrum gjithsej rreth 2500 metra katrorë, me ç’rast do të jenë rreth 40 zyra për mbi 100 të punësuar, meqenëse ndërtesa e vjetër e komunës këtu është ndërtesë e cila ka pasur jetë 25 vjeç, ndërkaq janë bërë 38.

Pra, tash e trembëdhjetë vjet prej vitit 2011 ajo ndërtesë nuk ka qenë e sigurt. Kjo është arsyeja pse po ia fillojmë një objekt të ri për komunën, në mënyrë që t’ju shërbejë edhe më shumë të gjithë qytetarëve me cilësi e profesionalizëm.

E gëzofshi të gjithë e urime!

Gjithashtu, kisha dashur t’i theksoj edhe disa investime shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, që po i bëjmë si Qeveri në Komunën e Shtimes.

Është ndërtuar Observatori dhe Planetariumi Kombëtar në Rashincë në vlerë prej 300 mijë euro, me ç’rast Shtimja është bërë atraksion turistik shkencor. Së fundmi është përuruar edhe biblioteka dhe Arkivi ku ishim bashkë, në vlerë 629 mijë euro.

Mandej janë funksionalizuar një çerdhe, dy të tjera janë në ndërtim e sipër dhe një pritet të ndërtohet. Është rindërtuar Shtabi i Rancës, në këtë shtab u bë paraqitja e parë publike e UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimës.

Mandej po e rregullojmë shtratin e lumit në vlerë prej 5 milionë euro. 

Janë ndërtuar e po ndërtohen Unaza e Vogël e Qytetit, e brendshme dhe Unaza e Madhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të një sheshi modern me parkingu nëntokësor, projekt i cili tashmë është buxhetuar për vitin 2025.

Dy shkolla janë rinovuar me fond të efiçiencës dhe tri tjera janë në proces.

Po hapen, zgjerohen e asfaltohen rrugët që lidhin fshatrat e malësisë me qytetin, siç është: Petovë-Rancë-Pjetërshticë-Dugë-Karaçicë dhe ajo tjetra Topillë-Petrovë.

Falë qeverisjes transparente të kryetarit Qemal Aliu, Komuna e Shtimes ka përfituar grantin e performancës, dhe kjo ka ndihmuar që të investohet për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe trafikut me ndriçim publik me ç’rast janë vendosur 650 shtylla.

Dhe gjithashtu po investohet në objektet kulturore sikurse; Palestra Sportive, Qendra Rinore, Shtëpia e Kulturës e në stadiumin e qytetit në vlerë mbi afro 3.5 milionë euro.

E shumë shpejt pritet të filloj puna për dislokimin e këtij Entit Special dhe për ndërtimin e QKMF-së, prandaj edhe ky objekt i ri i Komunës në Shtime në vlerë rreth 2.5 milionë euro, me siguri që është fort i merituar edhe për shkak të sigurisë për punëtorët, por gjithashtu edhe për shkak të punëve të mira që po i bëjnë, disa prej të cilave që i kemi bërë bashkërisht posa i përmenda.

Faleminderit shumë edhe njëherë!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img