Lista Serbe i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e ri të qeverisë për targat, në të cilin vendim parashihen qortime, gjoba e targa provuese.
Sipas Listës Serbe, shqiptimi i parë i gjobës do të jetë shkak për rezistencë të ashpër të serbëve, sepse sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm për qëllimet reale të Kurtit.
“Të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të vëzhgojë në heshtje debatin, heqjen e targave KM, pra lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, gabojnë shumë”, thuhet në reagimin e partisë serbe.
Tutje, në reagim thuhet se vendimi i ri i Kurtit nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e dëbimit të serbëve.
“Shfrytëzojmë rastin t’u përcjellim edhe një herë një mesazh të qartë qytetarëve tanë nga presidenti Aleksandar Vuçiq, serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe dëbimin e popullit tonë”, vazhdon reagimi.
Për targat ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Përmes një deklarate të publikuar të premten i ka kërkuar Kosovës që ta zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targa.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.
Këtu përmendet se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës pasi nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.
Ndryshe, Qeveria e Albin Kurti sot e ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në legale RKS.
Kurti tha se vendimi për targat të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime. Ai ka thënë se deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Derisa prej 21 janarit për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 s’do të ketë targa të tilla.
“Targat për KM, GL janë targa ilegale. Qeveria e Kosovës përmes vendimit ka obliguar ata që ti kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshëm edhe me ministrinë e linjës. Dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të zbatimit të këtij vendimi”, tha Kurti.