Site icon PrishtinaPress

Vendimi për shtesat, Molliqaj: Qeveritë autoritare duan një lidhje të drejtpërdrejtë me llogarinë bankare

Në një reagim ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për çdo fëmijë deri në moshën 16 vjeç dhe për pensionistët, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë, duke e quajtur atë autoritare dhe jo demokratike.

Molliqaj e cilësoi këtë vendim si një veprim të qëllimshëm të qeverisë për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes Qeverisë dhe qytetarëve përmes pagesave të njëhershme, në vend që të ofrohet një politikë e qëndrueshme e rritjes së pagave, pensioneve dhe shtesave.

“Çka kuptojmë sot me vendimin e Qeverisë për ndarjen e shtesave të njëhershme për fëmijët e Kosovës dhe pensionistët? Kjo tregon që qeveria jonë nuk është qeveri demokratike. Dallimi substancial mes qeverive demokratike dhe qeverive autoritare, siç është rasti i tonës, është se qeveritë demokratike i rrisin pensionet, pagat dhe shtesat sa herë që kanë mundësi, për shkak se ua lejon buxheti i shtetit. Qeveritë autoritare duan një lidhje të drejtpërdrejtë me llogarinë bankare dhe me familjet, si në rastin e Kosovës.

Çka i bie kjo? Ata në vend se ta shpërndajnë këtë shumë 60 milionë euro që u nda sot e përfafërt për krejt vitin dhe ta shpërndajnë në shtesa dhe pensione, ata vendosin që këtë ta dërgojnë njëhershëm në fundvit, sepse kështu e kanë një lidhje direkte duke e bërë të duket që jo vetëm po marrin diçka nga shteti i Kosovës por edhe që po i bie ndërmend kryeministrit dhe minsitrit për qytetarët e Kosovës. Në fakt kjo nuk është fare e vërtete. E vërteta do të ishte sikur te kishte rritje të pensioneve dhe rritje të shtesave të fëmijeve.” – tha ai.

Exit mobile version