-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Vendimi për pensionet e viteve të 90’të, pensionistët i gëzohen lajmit të vonuar

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot plotësim-ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale.. Ministri Hekuran Murati tha se është hequr kushti për 15 vjet stazh pune e kryeministri Albin Kurti tha se i kanë hequr diskriminimet me këto ndryshime. Ndërsa pensionistët e shohin të vonshëm vendimit. E tash pritet miratimi final në Kuvendin e Kosovës.

Fatmir Bajrami, para 33 vjetësh u largua nga puna pas mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës nga Qeveria e Serbisë. E kontributet për 14 vjet e 9 muaj e 18 ditë punë nuk i mori asnjëherë. Kjo pasi ai nuk e kishte përmbushur kriterin prej 15 vitesh stazh punë. E ky kriter u hoq sot, pasi Qeveria miratoi plotësim-ndryshimet në Ligjin për Skemën Pensionale.

“Më në fund, pas një kohe të gjatë, pas 23 vitesh, dul dikush, sepse deri tash kemi pasur vetëm premtime. Po qysh se kemi ndier veten të diskriminuar. na është cenuar dinjiteti, identitetin. Në ato kohëra jashtëzakonisht të vështira, të viteve të 80′, 90′ kemi punuar, por kujt nuk i intereson për atë punë, ata këqyrshin me grabit a çka di unë”, tha Bajrami për Express.

Ai shprehu keqardhje për shumë kolegë, që sipas tij kanë vdekur e nuk kanë arritur që ta gëzojnë këtë pension.

E vendimin e sotëm të Qeverisë ai e quajti të vonshëm.

“Jam shumë i mllefosur. Edhe kjo që ndodhi sot vërtetë është vendim i mirë, por nuk është e gatshme tash, diçka lëvizi për ne për shumë vonë, pas 23 vitesh. Sa njeri nuk e ka gëzu pensioni dhe ka shku në atë botë, prej kolegëve. Për dy muaj e 18 ditë unë nuk kam mujt me gëzu pensionin. Deri me 5 korrik 1990 i kam pas 14 vjet, e 9 muj e 418 ditë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati se përmes këtij projektligji e kanë hequr kushtin që të ketë 15 vjet stazh pune për të përfituar pension.

“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht 15 vjet stazh  punë, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar nga viti 1989 dhe më pastaj me hyrjen në fuqi të masave të dhunshme. Si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë punëtor të cilët kanë kontribuar me 14 vite e 11 muaj e që me largim nga puna nuk kanë mundur që ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh. Me plotësim-ndryshimin e këtij ligji  ne do ta zhbëjmë atë diskriminim  sepse do t’u mundësohet që për periudhën që nga koha kur janë larguar nga puna e deri në janar të vitit 1999, këtu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, e pastaj lartësia e pensionit bazuar në vitet që kanë kontribuar në Fondin Pensional”, ka thënë Murati.

60 milionë euro kostoja financiare për një vit

Për këto pensione, Murati tha se parashihet që për një vit të plotë të shpenzohen 60 milionë euro.

E për 50 vitet e ardhshme për këto pensione parashihen të shpenzohen 1.3 miliardë euro.

“Si ndikim buxhetor kemi paraparë që për një vit të plotë parashihet të jetë rreth 60 milionë euro që parashihet të jetë brenda kufijve buxhetor, ndërsa me kërkesën e re apo me programin e ri që kemi qoftë me Bankën Botërore apo edhe me FMN-në, parashihet qe me udhëzimin e ri administrativ në fuqi të bëjmë përllogaritjen edhe të ndikimit financiar për politika të reja sociale për 50 vite. Dhe ndikimi i jetëgjatësisë së kësaj skeme apo për 50 vitet e ardhshme parashihet të jetë 1.3 miliardë euro në tërësi”, tha ai.

Përfitojnë mbi 70 mijë pensionistë

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar sot se me ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale do të përfitojnë mbi 70 mijë pensionistë.

“Nga ky ndryshim plotësim, teorikisht parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të përfituar nga ky ndryshim, megjithatë duhet të kemi parasysh që disa mund të kenë ndërruar jetë e disa të mos e kenë arritur ende moshën e pensionimit, por aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës”, është shprehur Murati.

Sipas rregullores së Kuvendit, tash ky Ligj me plotësim-ndryshime pritet që të kalojë në Komisione përkatëse për shqyrtim e më pas në Kuvend për miratim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img