Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qytetarët herët apo vonë do ta kuptojnë se janë mashtruar nga Qeveria Kurti.
Kjo deklaratë e tij vjen për Klankosova.tv kur u pyet rreth vendimit të ekzekutivit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Vendimet dhe opinionet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatimm ato nuk mund te kontestohen. Por ndërtimit të kauzave te rrejshme me qëllim ardhjen në pushtet, i thonë mashtrim!”
“Fatkeqësisht, populli i Kosovës ka qenë subjekt i mashtrimit popullist, perdja e të cilit ra – edhe një herë – lehtësisht. Ky mashtrim dikur nxiste përplasje, përçarje e tension kombëtar, duke mbajtur peng jo vetëm fatin tonë euroatlantik por dhe duke treguar papërgjegjësi nacionale”.
“Kauzat e rrejshme mbesin gjithnjë të dëmshme. Siç është e dëmshme dhe kjo qeverisje pa rezultate, pa parime, përplot propagandë e mashtrim! Herët apo vonë, qytetarët do ta kuptojnë se janë mashtruar në çdo qëndrim! Le te përpiqemi sa me herët para se të bëhet vonë”, ka thënë Abdixhiku.