Site icon PrishtinaPress

Vendimi për kujdestarinë për barnatoret, reagon AKPPM: Pa bazë ligjore

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka reaguar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës që të cendoset kujdestari për barnatoret dhe në rast se nuk respektohet orari, të gjobiten.

“Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 (pesë) barnatore në gjithë kryeqytetin. Gjobiten me nga 300 deri në 1000 euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 euro personi juridik, nëse nuk i përmbahen orarit të përcaktuar. Orari i barnatoreve kujdestare do të publikohet së shpejti”, thuhet në njoftimin e komunës.

AKPPM ka thënë se e cilëson këtë rregullore pa bazë ligjore “sepse bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Udhëzimit Administrativ për Qarkulluesit Farmaceutik me Pakicë (Barnatoret) AKPPM është i vetmi autoritet kompetent për rregullimin e tregut farmaceutik, që bënë licencimin dhe rregullimin e fushëveprimtarisë se barnatoreve në Republikën e Kosovës”.

“Vlen të ceket se AKPPM ka berë të njohura qëndrimet zyrtare në takimin me Drejtorinë e Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës ku janë njoftuar se niveli lokal (komunat) nuk janë kompetente për rregullimin e orareve dhe kujdestarive të qarkulluesve me pakicë dhe se kjo qështje do të rregullohet përmes plotesim-ndryshimit të UA/11-2015 për Qarkulluesit Farmaceutik me Pakicë (Barnatoret). Andaj tendenca për marrjen e kompetencave të nivelit qëndror nga niveli lokal është e kundërligjshme dhe si e tillë kundërshtohet nga AKPPM.”

AKPPM ka thënë se janë të habitur se si “Oda Farmaceutike involvohet në përkrahjen e një tendence të kundërligjshme për marrjen e kompetencave të nivelit qëndror për shkak se përveq se nuk është kompetente dhe për më tepër është në dijeni se UA i lartëcekur është i përfshirë në Planin legjislativ të MSH-së me Vendim të Ministrit të Shëndetësisë dhe poashtu është në dijeni për caktimin e zyrtarit përgjegjës dhe grupit punues për plotësim-ndryshim të këtij udhëzimi”.

“Nëse Oda e Farmacistëve vazhdon në të ardhmën me një qasje destruktive ndaj AKPPM-së dhe MSH-së, AKPPM do të shkëpus marrëveshjen e bashkëpunimit me Odën Farmaceutike.”

“Njoftojmë publikun dhe subjektet farmaceutike se nuk janë të obliguar ti nënshtrohen nivelit lokal për përcaktimin e orarit dhe kujdestarive pasi që drafti final i Udhëzimit Administrativ i punuar nga zyrtari përgjegjes dhe grupi punues të caktuar nga Sekretari i Përgjithshem i MSH-së ku AKPPM do të përcakton oraret dhe kujdestaritë, I cili do të jetë i gatshëm për aprovim në MSH që nga mesi i shtatorit.”

Exit mobile version