Gjykata franceze në Colmar të enjten pritet të marrë një vendim në lidhje me rastin Ramush Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.
Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt dhe 2 mars, tani vendimi i ri për Haradinajn do të dihet me 6 prill.
Në një bisede për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj nuk është shprehur shumë optimist se në seancën e radhës mund të ketë ndonjë vendim pozitiv për të.
“Është seancë ballafaquese. Prokurori do të paraqes të gjeturat përfundimtare, pse janë përmbushur kriteret për ekstradim në Serbi, ndërsa ne, mbrojtja do të paraqesim argumentet që kjo kërkesë është e pa bazuar, e motivuar politikisht, s’ka bazë ligjore dhe duhet të hidhet poshtë”.
“Teorikisht ekziston mundësia e vendimit, por në bazë të praktikës së deritanishme të vonesave, pra, mund të pritet që vendimi të shtyhet edhe për ditë apo javë”, tha Haradinaj.
Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës. Haradinaj mendon se ndalesa e tij nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, por siç thotë ai, ‘krejt kjo çështje është politike’.
“Baza e ndalimit tim është krejtësisht politike. Do të thotë aktakuza burimin e ka në vitin 2014, një aktakuzë që është nisur para proceseve gjyqësore që i kam kaluar në Tribunalin e Hagës”.
“Në të vërtetë këto gjëra në Francë ndodhin, procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik”, tha Haradinaj.
Sidoqoftë, ai tha se respekton dhe beson në drejtësinë ndërkombëtare.
“Pra, respektoj ligjin ndërkombëtar, por nuk e njoh juridiksionin e Serbisë mbi mua. Këtë juridiksion të tashëm dhe të atëhershëm. Ne i kemi nda rrugët me të. Shikojeni absurdin, presidenti i qeverisë, i zgjedhuri ishte ministër i qeverisë së Millosheviqit në kohën kur ka ndodhur gjenocidi në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Asnjëri nga udhëheqësit e shtetit serb, ka vijuar ai, nuk e ka kaluar ndonjë proces gjyqësor ku do të vërtetohej pastërtia e tyre dhe mospërfshirja në krime.
“Unë kam kaluar dy herë në instancën më të lartë të ligjit ndërkombëtar edhe sot vazhdon keqtrajtimi”, ka thënë ai.
“Kjo bjen në konflikt me kërkesën që i është bërë Kosovës për Gjykatën Speciale, për pastrim. Pra, ky nuk qenka pastrim, ligji ndërkombëtar. E vetmja mënyrë për t’u pastruar shqiptarët, sipas kësaj logjike, është të na gjykojë Serbia, Beogradi”, u shpreh Haradinaj.
Prishtina zyrtare, ka theksuar ai, duket të jetë e pafuqishme në rastin e tij.
Sipas Haradinajt, institucionet e Kosovës kanë marrë një pozicion inferior ndaj Beogradit edhe në dialog edhe në pozicione të tjera.
Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast.
Kuvendi i Kosovës javë më parë miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Vendimi i Kuvendit të Kosovës u përcoll menjëherë me respektim nga qeveria e vendit. /Rel/