Site icon PrishtinaPress

Vendimi për hapjen e urës së Ibrit ndodhet në MAPL

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi është pyetur sot rreth vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

Krasniqi ka thënë se ky vendim ndodhet ende në trajtim në ministri për “kontrollim të ligjshmërisë”.

“Ky vendim është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative. Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe më pastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”, ka thënë Krasniqi para mediave.

Kujtojmë se këtë vendim e kishte përkrahur Qeveria e Kosovës, duke thënë se është vendim i drejtë dhe i duhur.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, kishin deklaruar nga Qeveria e Kosovës.

Me vendimin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim s’u pajtua emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai e cilësoi momentin si “jo të duhur”, duke thënë se duhet të përballemi me këtë në baza ditore derisa të flasim, dhe se atmosfera në Mitrovicë nuk është e duhur për këtë hapje.

Lajçak gjatë qëndrimit në Kosovë kishte thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit, duhet të merret në dialog dhe me pajtimin e të dy palëve.

 

Exit mobile version