Site icon PrishtinaPress

Vendimi i Serbisë që t’i njohë targat RKS, Stano: BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme

Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë. Këtë vendim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka quajtur hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes.

Stano ka thënë se ky veprim tregon se “është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ai po ashtu ka kërkuar që ngjashëm të veprojë edhe Kosova.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Ajo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të stikersave. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, është shprehur zëdhënësi i BE-së për Kohën.

Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin pesë euro.

Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit, që detyronte edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat.

Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Exit mobile version