Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dalë me njoftim publik ku thuhet se për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “Klan Kosova”, duke thënë se vendimi e ka përmbyllur këtë rast brenda ministrisë dhe se Klan Kosova ka të drejtën të ushtrojë padi. Kjo nënkupton se Klan Kosova do të mbyllet.
Lidhur me këtë ka reaguar gazetari dhe moderatori Leonard Kërquki i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ky është rast i paprecedent për një shtet demokratik.
Ai ka thënë se këtë e ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti siç shprehet ai “përmes kukullës së tij, Rozeta Hajdarit”.
Kërquki gjithashtu ka thënë se secili gazetar duhet të çohet në mbrojtje të Klan Kosovës dhe këtë e ka quajtur “betejë për mbrojtjen e demokracisë në vendin tonë”.
“Pra, Albin Kurti permes kukulles se tij, Rozeta Hajdarit, e çoi deri ne fund rastin me Klan Kosoven, duke vendosur per mbylljen e tij. Ky eshte rast i paprecedent per nje shtet demokratik. Ky eshte momenti kur secili gazetar dhe njeri qe ia do te miren ketij Shtetit, te çohet ne mbrojtje te Klan Kosoves. Kjo tashme eshte beteje per mbrojtjen e demokracise ne vendin tone.”, ka shkruar ai.