Vendimi i Kushtetueses dhe sfidat e Qeverisë Hoti, flasin analistët

66
Advertisement

Qeveria e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe pritet të votohet gjatë ditëve në vijim, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin që presidenti, Hashim Thaçi i dha Avdullah Hotit për kryeministër.

Advertisement

Pritshmëritë e analistëve politikë janë se këtë Qeveri e pret punë e madhe, e madje pritet edhe finalizimi i marrëveshjes me Serbinë, por se sfida e parë do të jetë votimi i kësaj Qeverie.

Sipas analistit, Ramush Tahiri, pas publikimit të aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, aktivizohet procedura për zgjedhjen e Qeverisë.

Para se Lëvizja Vetëvendosje të dërgonte dekretin e presidentit në Gjykatën Kushtetuese, siç tha Tahiri, ka qenë kërkesa dhe është aprovuar për tu mbajtur seanca, por që në ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka marr vendim dhe e ka pezulluar këtë vendim, gjë e cila ndryshoi mbrëmë kur Kushtetuesja i dha të drejtë presidentit për mandatarin.

“Duhet të thirret seanca e jashtëzakonshme, ajo thirret me votim të shumicës së anëtarëve të kryesisë, por që në këtë rast kur janë 62 nënshkrime të deputetëve, ajo seancë thirret brenda 24 orëve dhe e ka një rend ditë pra zgjedhjen e Qeverisë. Kabineti qeveritar, me të gjithë emrat duhet me u përgatit me shku në Kuvend, edhe në formë të shkruar duhet të përgatitet për me pas mundësi me votu deputetët, me një biografi të shkurtë, me cila parti dhe cili ministër ka me udhëheq cilën ministri. Kjo është punë teknike, mundet me u kry për gjysmë ditë, por mundet me marrë punë edhe më shumë, por në Kuvend votohet”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, po ashtu tha se qeveria duhet të votohet sa më shpejt, meqë vazhdimisht po flitet se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

“Besoj që shumë shpejt do të vazhdohet me procedura, të votohet qeveria, sepse është folur shumë se Kosova nuk ka shumë kohë për të humbur, prandaj edhe mendoj se gjatë këtyre ditëve edhe do të votohet e do të formohet qeveria e re”, tha Demhasaj.

Tahiri, në anën tjetër tha se sfida e parë është sigurimi i votave të mjaftueshme për tu zgjedhur Qeveria, teksa tha se nëse kjo nuk bëhet, atëherë vendi shkon në zgjedhje.

“Sfida e parë është me i pas votat. Nëse nuk voton Pacolli vet i dyti, është problem me i mbledh votat, pastaj edhe se di sa deputet të LDK-së e votojnë ose jo. Nëse nuk zgjedhet Qeveria, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Presidenti menjëherë, atë ditë ose të nesërmen i shpall zgjedhjet. Nëse nuk zgjedhjet Qeveria, Kuvendin me dekret shpërbëhet. Me Kushtetutë e me Ligj. Janë disa forma që shpërndahet Kuvendi, por bëhet vetëm me dekret të Presidentit dhe vendi për 40 ditë shkon në zgjedhje. Brenda 40 ditëve duhet të bëhen zgjedhjet”, tha Tahiri.

Tahiri tha se ka pritshmëri të mëdha sa i përket formimit të kësaj qeverie.

“Pritshmëritë e mia janë të mëdha. Kam qenë një nga të rrallët që kam thanë që Qeveria, pra kjo koalicioni LVV-LDK do të ketë dy mandate, pra do të qeverisin 8 vjet. Mirëpo ata filluan të mos pajtohen, ka pasur mospajtime të shumta. Kam mendu që kanë më qeverisë 8 vjet, katër njëherë, ndërkaq edhe katër të tjera ku do të dilnin bashkë në zgjedhje dhe do të merrnin votat, por shkak ishte shkarkimi i një ministri i cili ishte edhe nënkryetar, ashtu siç u tha, nuk e di nëse ishte shkak i vërtetë. Megjithatë, faktet janë që kundër rrëzimit të Qeverisë kanë qenë vetëm 30 deputetë. Kjo qeveri, derisa nuk del dikush me prish koalicionin e me hy në votëbesim, këtë Qeveri nuk mund ta rrëzojnë bashkë PDK-ja dhe Vetëvendosja dhe pse po mbesin opozitë, sepse nuk kanë vota boll”, tha Tahiri.

Demhasaj tha se është dialogu gjëja e parë me të cilën do të ballafaqohet Qeveria Hoti, teksa shtoi se edhe presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një shtysë për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Unë besoj se çka pritet edhe me çka ka me u ballafaqu Qeveria Hoti nëse votohet në Kuvend ka me qenë dialogu, kjo është qeveri që ka me u marrë me dialogun edhe ka me qenë kjo puna kryesore që është arritja e marrëveshjes apo dialogimi me Serbinë, për shkak që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje të rifilloj dialogu dhe të tentohet të arrihet një marrëveshje. Sigurisht që janë akoma në diskutime të brendshme, sidomos te LDK-ja, edhe pritet ndoshta deri nesër edhe me i pas emrat përfundimtar të ministrave”, tha Demhasaj. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës