Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur mbledhjen e 34-të me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar rregullore dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se dje ka pranuar Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian, i cili evidenton progresin në të gjitha fushat si dhe sfidat në funksionimin dhe zhvillimin e përgjithshëm në shoqërinë tonë.
Raporti konfirmon se Kosova vazhdon t’i mbaj të plotësuara të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe thekson vlerësimin pozitiv të Qeverisë së Kosovës për sigurinë, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon. Kryeministri Hoti ka theksuar se ai tashmë ka filluar diskutimin për të adresuar të gjitha sfidat e evidentuara në raport.
Rregullorja për atashetë e mbrojtjes ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Kjo Rregullore përcakton statusin, detyrat dhe përgjegjësitë, procesin e përzgjedhjes, pranim-dorëzimin e detyrës, kohëzgjatjen e shërbimit, pagesën, kompensimet tjera dhe ndërprerjen e shërbimit të Atasheut të Mbrojtjes dhe oficerit ndërlidhës të akredituar në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës në vendet tjera apo në organizata ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, sipas vendimit të miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë, do të përfaqëson Qeverinë në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Duke vepruar sipas kërkesës së Këshillit Konsultativ të Komuniteteve, i cili vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës ka emëruar tre përfaqësues të lartë nga Qeveria për anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Qeveria ka propozuar këta anëtarë:
Ivan Millojeviq
Lindon Pajaziti
Suad Ademi
Qeveria ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 14.08.2020 për aprovimin e Koncept Dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian.
Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria, janë shfuqizuar 23 vendime për dhënie të pëlqimit për përjashtim nga fushëveprimi i procedurave të Ligjit për prokurim publik në Republikën e Kosovës. Vendimi obligon të gjitha institucionet që të veprojnë në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe të ndjekin në mënyrë strikte të gjitha procedurat e përcaktuara me këtë ligj.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për zbatimin e Masës-9 për rimëkëmbje ekonomike sipas planit detajuar me fokus në komunitetet jo-shumicë, të cilin e ka përgatitur Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Plani përmban objektiva konkrete të mënyrës së zbatimit si dhe kritere të qarta për shfrytëzuesit, kushtet e aplikimit dhe format për vlerësim, zbatim dhe monitorim të procedurës për realizimin e masave.
Objektivi i parë synon sigurimin e nevojave themelore të jetesës për personat në nevojë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa objektivi i dytë synon zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19 ndaj ndërmarrjeve të vogla, kurse objektivi i tretë ofrimin e shërbimeve të gerontologjisë personave në nevojë nga komunitetet jo-shumicë; dhe objektivi i katërt ngritjen e vetëdijes tek banorët me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit COVID-19.
Dy vendime përfundimtare të shpronësimit të pronave të paluajtshme për interes publik, kanë marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Vendimi i parë është për shpronësimin e pronave të ish Fabrikës së Tjegullave në Prishtinë, të cilat do të jenë në dispozicion të realizimit të projekteve të Komunës së Prishtinës, ndërsa vendimi i dytë për shpronësimin e ish-pronave shoqërore në Zabel të Ulët për ndërtimin e ‘Lokacionit për varreza’, pronat në Drenas dhe Çikatovë për ndërtimin e ‘Tregut të kafshëve’, pronat në Korroticë të Epërme për zgjerimin e ‘Zonës ekonomike në Drenas’, dhe pronat në Zabel të Ulët që do të shërbejnë për ndërtimin e Impiantit për Ujëra të Zeza.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin e statusit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, nga Ndërmarrja Publike Lokale në Ndërmarrje Publike Qendrore. Ndryshimi i statusit ka për qëllim integrimin e komunave të Hanit të Elezit dhe Shtërpcës në shfrytëzimin e shërbimeve nga kjo kompani.
Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në shumën prej 13 milion euro për Programin për Rimëkëmbje Ekonomike në kategorinë e “Subvencioneve dhe Transfereve”, për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike.
Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil në këtë përbërje:
Skender Halili, kryesues;
Ardian Gaxherri, anëtar;
Myzejene Selmani, anëtare;
Jeton Paloka, anëtar;
Nazlie Krasniqi –Korçaj, anëtare.
Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë që t’i rekomandohet Presidentit të Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit për ministrin e Drejtësisë për të nënshkruar Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare me Shqipërinë.
Në parim është aprovuar nga Qeveria, në mbledhjen e sotme edhe nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për Nxitjen e Investimeve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi i miratuar obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të zhvilloi negociatat me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për finalizimin e kësaj marrëveshjeje në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë i datës 28 shtator 2020, për të siguruar që përfitues nga programi i masave për rimëkëmbje ekonomike të jenë edhe të vetpunësuarit.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030. Kjo strategji do të jetë dokumenti kryesor i planifikimit afatgjatë për të zbatuar vizionin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të Republikës së Kosovës.