Site icon PrishtinaPress

Vendimet e Qeverisë Kurti, që shfuqizuan ato të Qeverisë Haradinaj

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ndërsa ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime.

Nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, kabineti qeveritar shfuqizoi disa vendimet të Qeverisë Haradinaj, të miratuara më 20.12.2017 për rritjen e pagave për pozita të caktuara.

Kabineti Kurti i shfuqizoi ato vendime dhe pagat kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm.

“Vendimi i parë i miratuar nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuar me datën 20.12.2017, për pagat për pozitat të caktuara dhe të njëjtat kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm. Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese në pajtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; Ligjin për Gjykatat; Ligjin për Prokurorin e Shtetit; Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial”, thuhet në njoftim.

Vendimi vlen deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me po këtë vendim ndryshohet dhe plotësohet Vendimi i Qeverisë, i datës 17.11.2015, kështu që nga pika 2. e këtij vendimi ndryshon nga “pagës së plotë që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit të tyre”, dhe zëvendësohet me tekstin: “pagës aktuale të tyre”, dhe bëhet fjalë për pagat e ish-zëvendëskryeministrave, ish-ministrave, ish-zëvendësministrave dhe të ish- drejtorit të AKI-së për gjashtë muaj pas mbarimit të mandatit të tyre.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar janë shfuqizuar po ashtu vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në vijim: vendimi i qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore; vendimi i qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit; vendimi i qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Republikën e Kosovës; vendimi i qeverisë për emërimin e udhëheqësit të Projektit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve Endacakë; vendimi i qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit; vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO; vendimi i qeverisë për themelimin e Task-Forcës Kundër Narkotik tek të rinjtë dhe siguri në shkolla.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Partneritetit Publiko-Privat me përbërje të anëtarëve të përhershëm nga ministrat e dikastereve në vijim: Ministria e Financave dhe Transfereve kryesues; Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investime Strategjike anëtar; Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit anëtar; Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal anëtar; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural anëtar.

Ndërkaq, në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, me rekomandimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të zgjat ndarjet buxhetore edhe për muajin mars.

Me dy vendime të veçanta, janë miratuar nismat e negocimit të lidhjes së Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Finlandës dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital.

Marrëveshjet do të negociohen në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për marrëveshje ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet se këto marrëveshje do të kenë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të jenë stimuluese për investimin e kapitali të huaj në vendin tonë.

Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë ndarë mjete për GIZ-in në vlerë prej 29 mijë e 809 euro, si implementues i projektit të themelimit të Parkut Inovativ në Prizrenit, për strehimin e refugjatëve nga Republika e Shqipërisë, pas tërmetit të viti të kaluar në këtë kamp.

Janë ndarë mjete edhe për komunat e Pejës, në vlerë prej 297 mijë e 50 euro dhe atë të Istogut , në vlerë prej 136 mijë euro, për sanimin e gjendjes së krijuar nga fatkeqësitë natyrore javën e kaluar në këto komuna, sidomos në objektet dhe infrastrukturën edukativo-arsimore të këtyre komunave.

Me propozim të Kryeministrit Albin Kurti, është themeluar Grupi punues për koordinimin e aktiviteteve dhe manifestimeve për shënimin e dymbëdhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe do të ketë në përbërje Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrin e Mbrojtjes, Ministren  e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kryeministri Albin Kurti po ashtu njoftoi se të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar se së shpejti do të adresojë shkresën më kërkesë që në të gjithë resorët qeveritarë të behet skanimi i gjendjes me objektivat dhe sfidat e  ministrive me qëllim të ndërmarrjes së hapave për avancim të punës dhe efikasitetit të institucioneve qeveritare.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka prezantuar vlerësimet e Ministrisë që përfaqëson për situatën aktuale për anëtarësim, duke thënë se të dhënat me të cilat disponojnë si ministri, janë në disfavor të aplikimit për anëtarësim në Interpol edhe këtë vit dhe ka rekomanduar që aplikimi të shtyhet për vitin tjetër. /Telegrafi/

Exit mobile version