Site icon PrishtinaPress

Vëllau vret vëllaun në Rahovec, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit


Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.K., për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020,  në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B. K.

I pandehuri paraprakisht kishte njohuri se vëllai, kishte një shumë të konsiderueshme të parave të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës, dhe ditën kritike rreth orës 09:00 i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e tij, ku gjatë një bisede të përbashkët, i pandehuri ishte fyer nga tani i ndjeri me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

I revoltuar nga kjo i pandehuri kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e të ndjerit B.K, hynë brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas i pandehuri e merr kufomën, dukë e tërhequr zvarrë me një batanije, e qet në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë, dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të pa identifikuar më qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Po ashtu, i dyshuari më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri G.K., të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Exit mobile version