Site icon PrishtinaPress

Vëllai i kandidates për deputete nga Lista Guxo emërohet zv/drejtor i AKI-së

Gresa Bytyqi, anëtarja e Listës ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit, nuk arriti të fuqizohej politikisht kur në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi për deputete pa arritur të siguronte mandat në Kuvendin e Kosovës. 

Por, rreth katër muaj pas zgjedhjeve, vëllai i kandidates për deputete ka përfituar nga një vendim i ish-udhëheqëses së Listës Guxo, presidentja aktuale Vjosa Osmani, raporton Gazeta Insajderi. 

Agon Bytyqi, vëllai i Gresa Bytyqit, është emëruar sot zëvendësdrejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) me vendim të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ka mësuar gazeta.

Emërimi i Bytyqit si numri dy i AKI-së vjen një ditë pasi Osmani e Kurti shkarkuan Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, kanë emëruar sot  Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga Zyra e Presidentit kanë thënë se Agon Bytyqi nuk është i përfshirë në asnjë pozitë politike “dhe asnjëherë nuk ka qenë i anagzhuar politikisht në asnjë parti”.

“Siç e keni pa në komunikatë, zëvendësdrejtori i sapoemëruar ka përvojë 11 vjeçare në fushën e sigurisë. Ai nuk është i involvuar në asnjë pozitë politike dhe asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar politikisht në asnjë parti”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, në një përgjigje për Insajderin. 

Gresa Bytyqi, vëllai i së cilës u emërua sot zëvendësdrejtor i AKI-së, ia kishte mësyer kuvendit me synimin për të dhënë kontribut në “funksionalizimin e shtetit dhe sundimin e ligjit” në vend. Kësisoj, përshkruhej profili politik i Bytyqit në prezantimin e kandidatëve të listës për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. 

“E revoltuar nga situata në të cilën ndodhemi si shoqëri, Gresa shpreh vullnetin e pakusht për të dhënë kontributin profesional në funksionalizimin e shtetit dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gresa është përfaqësuese e Lista Vjosa e cila në këto zgjedhje garon bashkë me Lëvizja VETËVENDOSJE!”, thuhej në prezantimin e Gresa Bytyqit.

Agon Bytyqi, vjen nga një e kaluar në fushën e sigurisë “si dhe atë të bashkëpunimit ndërkombëtar”, njoftoi sot Zyra e Presidentit. 

Ai ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 2008, ndërkaq studimet master në fushën e drejtësisë i ka përfunduar më 2013. /Insajderi.org

Exit mobile version