Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se nuk do të lejojnë askënd që të prishë raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë, ndërsa ka vënë në dyshim funksionimin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në tubimin elektoral të LDK-së në shkollën e fshatit Lluzhan, ai ka treguar edhe pse e ka çuar Podujevën në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Këtë lëvizje nuk e kam bërë për interes e as në krye në veti, po ka qenë në koordinim edhe me partinë edhe me kryetarin Isa Mustafën. Sepse ju e dini se në çfarë rrethanash u bë koalicioni dhe ju e dini si po funksionon ose nuk po funksionon ky koalicion në këto ditët e para. Nuk do të lejojmë që dikush të na prishë me miqtë tanë ndërkombëtarë e sidomos me SHBA. Dhe iu themi atyre se me qëllim apo pa qëllim po e bëjnë, por iu themi jo”, ka deklaruar Veliu, përcjell Telegrafi.
Në fjalimin e tij, Veliu ka kritikuar edhe ish-bashkëpartiakun e tij, Shpejtim Bulliqin, që e ka braktisur LDK-në.
Zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen më 15 mars, ndërsa subjektet politike janë në fushatë parazgjedhore deri më datën 13 mars.