Site icon PrishtinaPress

Vela: Tri vetura të tjera u dogjën të shtunën në veri të Kosovës

Edhe tri vetura të tjera janë djegur mëngjesin e së shtunës në veri të vendit. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i kabinetit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela.

Përmes një shkrimi në Twitter, Vela ka thënë se strukturat e paligjshme të Serbisë po i synojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tri makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po synojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, së fundmi janë raportuar disa raste të djegies së veturave në veri të vendit.

Ditë më parë, Vela ka deklaruar se Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të penguar jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në komunat në veri.

 

Exit mobile version