Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se autoritetet serbe po ua mohojnë në mënyrë sistematike qasjen qytetarëve të Kosovës, familjarët e të cilëve gjenden në qendrat e paraburgimin në Serbi.
Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se kjo po ndodhë me pretekstin se ata nuk i njohin dokumentet e Kosovës.
Sipas Velës, kjo është një shkelje e marrëveshjeve të Brukselit nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Institucionet e Serbisë po ua mohojnë në mënyrë sistematike qasjen anëtarëve të familjeve të qytetarëve të Kosovës të mbajtur aktualisht në qendrat e paraburgimit në Serbi me pretekstin se ata nuk i njohin ID-të e Kosovës. Kjo është shkelje e marrëveshjeve të Brukselit dhe e të drejtave themelore të njeriut nga regjimi i Vuçiqit”, shkroi ai.
Marrëveshja e Ohrit, ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, si: pasaportat, diplomat, targat, vulat doganore.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga homologia e saj serbe, transferimin e Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula në Kosovë pasi ata po mbahen në Serbi.
Haxhiu kishte thënë se Mehmetaj dhe Dula po mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.
Ajo kishte theksuar se mbajtja e tyre në Serbi është shkelje e të drejteva të njeriut.
“Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra. Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, kishte shkruar Haxhiu në facebook.