Site icon PrishtinaPress

Vedat Muriqi në mesin e shënuesve/asistuesve më të mirë edhe në Ligën e Kombeve

Fillimi i kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2024 po afron.

Këtë muaj do t’i hapet perdja fazës eliminatore, me Kombëtaret që do të mundohen ta sigurojnë nga një vend për në Evropianin e ardhshëm.

Por, UEFA në uebfaqen e vetë zyrtare, në versionin spanjisht dhe portugalisht, e ka bërë një rifreskim të rrjedhës së Ligës së Kombeve, edicionin 2022/23.

Aty, në mesin e golashënuesve më të mirë dhe kontribuuesve në gola, gjendet edhe futbollisti kosovar, Vedat Muriqi.

“Pirati” i “Dardanëve” i ka realizuar 5 gola në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, ndërsa i pati edhe 3 asistime.

Në listën e realizatorëve të edicionit të fundit, ku përfshihet faza e grupeve e deri tek finalja, Muriqi gjendet në vendin e tretë, të cilin e ndan bashkë me Vladislav Gutkovskis të Letonisë dhe Khvicha Kvaratskhelia të Gjeorgjisë, që i kanë po ashtu nga 5 gola, kurse përpara tyre gjenden Erling Haaland i Norvegjisë dhe Aleksandar Mitrovic i Serbisë.

E në listën e asistuesve më të mirë të Ligës së Kombeve, Muriqi po ashtu është i treti me 3 asistime, por që këtë vend e ndan me disa lojtarë.

Përpara tyre me nga 4 asistime janë Nicusor Bancu i Rumanisë dhe Dusan Tadic i Serbisë.

E kur bëhet fjalë për kontribute në gola (gol + asistim), Muriqi e ndan vendin e parë me Kvaratskhelian e Gjeorgjis.

Të dy i kanë nga 8 gola dhe asistime të kombinuara, të ndjekur nga Erling Haaland, që i ka 7.

Pra, Muriqi nuk është duke shkëlqyer vetëm në La Liga, ku i ka realizuar 10 gola me Mallorcan.

Prizrenasi ishte i suksesshëm në aspektin individual edhe me Kombëtaren e Kosovës në Ligën C, por që fatkeqësisht nuk arriti të depërtonte në fazën tjetër të Ligës së Kombeve.

Exit mobile version