Pas vendimit të MPB-së së Kosovës për shtyrjen e afatit për ndërrimin e patentë shoferëve serbë të lëshuar për qytetarët në Kosovë, vozitësit që nuk ndërrojnë patentë shoferët deri të premten do të përballen me gjoba prej 500 deri në 1.500 euro. Zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka sqaruar për Kossev se patentë shoferët serbë pas skadimit të këtij afati do të trajtohen si të pavlefshme dhe shoferët me dokumente të tilla do të dënohen sikur të mos kishin fare patentë shofer.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka vendosur në fillim të muajit maj të hapë mundësinë e kalimit nga patentë shoferët serbë të lëshuara për qytetarët në Kosovë, të cilat janë të paligjshme, në patentë shoferët kosovarë. Vendimi ka hyrë në fuqi më 9 maj dhe afati është dita e premte, pra 23 gusht.
Nuk do të ketë shtyrje të re të afatit
Pas skadimit të këtij afati, në Kosovë nuk do të mund të vozitet më me patentë shoferët serbë që u janë dhënë qytetarëve kosovarë. Vozitësit të cilët zihen duke vozitur me patentë shoferë të Serbisë, do të gjobiten me gjoba prej 500 deri në 1.500 euro, ka thënë, zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, transmeton Paparaci.
Elshani ka thënë se deri më sot janë dorëzuar më shumë se 6 mijë kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve dhe se pas përfundimit të afatit, të premten, më 23 gusht, patentë shoferët serbë do të jenë të pavlefshme. Pas kësaj do të shqiptohen gjoba për shoferët e gjetur me patentë serbe.
“Nëse ne policia e gjejmë një shofer që ka patentë shoferi serb pas skadimit të afatit të ndërrimit, për ne do të jetë sikur ai të mos ketë fare patentë shoferi. Këtyre shoferëve do t’u shqiptohet një gjobë, për të cilën gjykata do të vendosë më vonë se sa do të jetë ajo. Mund të shkojë nga 500 deri në 1000 euro”, tha ai.
Ai ka shpjeguar se shuma e gjobës varet se sa herë kapet dikush me patentë shoferi të pavlefshëm serbë.
“Nëse policia ju ndalon herën e parë, do të merrni një paralajmërim dhe një gjobë, pastaj gjykata vendos se çfarë të bëjë më pas. Kjo nuk varet nga policia. Shuma e gjobës mund të shkojë deri në 1.500 euro nëse një person kapet duke vozitur pa patentë kosovar më shumë se një herë”, shpjegoi Elshani.
Ai shton se nëse shoferi ndalet pa patentë shofer të Kosovës, duhet të thërrasë dikë me patentë të vlefshme për ta marrë dhe ta drejtojë automjetin.