-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Veç edhe sot ka afat, Listën Serbe s’e bindi as marrëveshja e Ohrit- kërkon largimin e njësisë speciale nga Veriu

Veç edhe sot, Lista Serbe ka kohë që të aplikojë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit në Veri. Për ta kryer një gjë të tillë kishte afat 14 ditë, mirëpo partia kryesore e serbëve nuk u bind pavarësisht marrëveshjes së Ohrit. Përveç krijimit të asociacionit, ata tash kanë edhe një kërkesë tjetër – largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje e rrezikon këtë proces, pasi për shkak të barrikadave të vendosura nga ta, zgjedhjet u shtynë nga dhjetori në prill. Për të marrë pjesë në zgjedhje, në nëntor, Lista Serbe kishte kërkuar tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.

Marrëveshja e Ohrit

Çështja e targave u zgjodhë në vitin e kaluar, ndërsa më 18 mars në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këtë aneks është përfshirë edhe krijimi i asociacionit.

Në nenin 7 thuhet se Kosova “do të fillojë negociatat për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

Kushti i ri i Listës Serbe

Pavarësisht dakordimit për asociacionin, Lista Serbe dje e ka përmendur prapë atë. Dje Lista Serbe ka deklaruar që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet në Veri.

Dje në një njoftim në Facebook, kjo parti pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar formimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, deklaruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës dhe Metohija”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shtyrja e afatit për aplikim për certifikim për pjesëmarrje

Në mbledhjen e 9 marsit, KQZ vendosi që të shtyjë afatin për aplikim për certifikim nga 18 marsi më 22 mars, pra të zgjatet për 4 ditë. Sipas këtij institucioni, një gjë e tillë është bërë që t’i jepet më shumë kohë subjekteve politike që ta bëjnë një gjë të tillë.

Zgjatjes së këtij afati, i është gëzuar edhe të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

”Në këtë kontekst, vendimi i KQZ-së për shtyrjen e afatit për paraqitjen e listave është një vendim konstruktiv sepse na jep më shumë hapësirë dhe mundëson që mbledhja e Ohrit në datën 18 të mos mbahet nën presionin e këtij afati, por shpresojmë se do të ndihmojë. ne në një atmosferë krijuese që do të ishte e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje politike“, kishte deklaruar Lajçak për “Kossev”.

Thirrja e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një konferencë për media, ka folur edhe për zgjedhjet në Veri.

Ai u bëri thirrje serbëve që t’i shfrytëzojnë “orët e fundit” për të aplikuar për certifikim.

“Është e rëndësishme për të gjithë ata që duan të angazhohen për politikat publike në nivelin komunal dhe të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve, në këtë rast të serbëve”, tha Kurti.

Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u patën caktuar të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo  për shkak të tensioneve atje, presidentja Osmani mori vendim për shtyrjen e tyre për 6 muaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img