Dy persona të moshës 25-vjeçare kanë vdekur në një aksident të rëndë komunikacioni që ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq.
Të dy shoferët u përplasën me vetura, teksa në gjendje të rëndë ndodhet edhe një person.
Rastin e kanë konfirmuar për mediumin lokal Kossev nga Policia e Kosovës.
“Pesë minuta pas mesnate, ka ndodhur aksidenti dhe siç dyshohet sipas rezultateve paraprake të hetimeve, një automjet Audi 6 me targa të Beogradit ka kaluar në shiritin e kundërt të trafikut dhe është përplasur drejtpërdrejt me një automjet Peugeot, i cili po lëvizte në korsinë e tij”, ka thënë Munish Avdiu, shef i njësitit të komunikacionit në rajonin e PK-së në Veri.
Drejtuesit e të dy makinave kanë vdekur si pasojë e plagëve të rënda, kurse trupat e tyre të pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. I lënduari është transferuar me urgjencë në spitalin e Mitrovicës.