3.6 C
Pristina
Tuesday, April 8, 2025

Buy now

spot_img

Vdes themeluesi i Kirurgjisë Plastike në Kosovë, Dr. Adnan Shabani

Ka ndërruar jetë Dr. Adnan Shabanit, themeluesit të Kirurgjisë Plastike në Kosovë dhe një prej figurave më të shquara në fushën e mjekësisë në vend.

Lajmi është bërë i ditur nga Klinika e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar ku theksohet kontributi i jashtëzakonshëm i Dr. Shabanit në themelimin, zhvillimin dhe avancimin e kësaj fushe në Kosovë.

“Me profesionalizëm të lartë, përkushtim të palodhur dhe zemër të madhe, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në shëndetin e mijëra pacientëve,” thuhet në njoftim.

Dr. Shabani u cilësua si një pionier dhe humanist i madh, i cili ndikoi thellësisht në ngritjen profesionale të gjeneratave të tëra mjekësh dhe në ofrimin e shërbimeve të specializuara për qytetarët e Kosovës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të hënën, më 7 prill, në vendlindjen e tij në Shkup.

“Humbja e Dr. Adnan Shabanit është e pazëvendësueshme, por trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë në profesionin tonë dhe në kujtimet tona. Pusho në paqe, Doktor,” përfundon njoftimi nga Klinika e Kirurgjisë Plastike – QKUK.

Biografia

Dr. Adnan Shabani i lindur më 15 Qershor, 1944 në Shkup.  Shkollën fillore tetëvjeçare “Liria” e kreu në Shkup. Poashtu, edhe shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Cvetan Dimov” në Shkup. Në Fakultetin e Mjekësisë u regjistrua në vitin 1962. Përshkak të suksesit të shkëlqyeshëm në shkollën e mesme, është liruar nga provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë. Ka diplomuar në vitin 1967. Në atë kohë ishte njëri prej mjekëve më të rinj në trevat e ish-Jugosllavisë. Nga 1 Nëntori 1971 deri me 6 Qershor 1972, ka kryer studimet postdiplomike në Shkollën Popullore ”Andreja Stanpar”, në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb. Provimin specialistik nga Kirurgjia e Përgjithshme e ka kryer në Shkup. Më 5 Gusht, 1976 ka kryer provimin e specializimit nga Kirurgjia Plastike dhe Rekonstruktive, në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd.

Me 1 Maj, 1978 ka themeluar repartin e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive në Prishtinë dhe prej asaj kohe deri më 15 Qeshor, 2003, ai ka qenë Kryeshef në Repartin e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive në Prishtinë. Në vitin 1978 është zgjedhur Asistent i lëndës së Kirurgjisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Prej vitit 2003 deri në vitin 2009, Dr. Adnan Shabani, ka qenë Kryeshef i shërbimit Ambulator në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë.  Është pensionuar në vitin 2009. Prej 2003-2009 ka qenë i punësuar në spitalin “Bahceci” të Turqisë në Prishtinë.

Në vitin 2019 u punësua në Klinikën Amerikane në Prishtinë, si specialist nga Kirurgjia Plastike.

Është autor dhe koautor i mbi 20 punimeve shkencore. Gjatë jetës ka marrë shumë mirënjohje të tilla si: Mirënjohje si Kryetar Nderi në “Simpoziumin e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike Kosovare, me pjesëmarrje ndërkombëtare në Prishtinë”, Mirënjohje për “Mentor të Punimeve Shkencore në disa Kongrese të studenteve të Mjekësisë në ish-Jugosllavi”, Mirënjohje nga Klinika e Kirurgjisë për “Kontributin e dhënë në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve ndër-njerëzore, ndër-kolegiale, ruajtjen e dinjitetit të mjekut, ruajtjen e autoritetit të institucionit, dhënien e këshillave me vlerë, të cilat do të shërbejnë edhe për të ardhmen”, si dhe Mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në themelimin e Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive. 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img