Site icon PrishtinaPress

Vdes një ushtare izraelite që po mbahej peng nga Hamasi

Një ushtare 19-vjeçare, e cila ishte në mesin e afër 240 personave që u morën peng nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmeve të 7 tetorit, ka vdekur në robëri, thanë të dyja palët.

Ushtria izraelite tha të martën se Noa Marciano ka vdekur, pa dhënë detaje për shkakun e vdekjes së saj. Ajo është pengu i parë që është konfirmuar se ka vdekur në robëri.

Mbrëmjen e së hënës, Hamasi publikoi një video ku Marciano shfaqej duke e identifikuar veten. Në një deklaratë të dhënë nën detyrim, ajo deklaroi se sulmet ajrore izraelite kishin goditur pranë vendit ku ajo po mbahej dhe në video ajo dëgjohet duke i bërë thirrje Izraelit që të ndalë sulmet.

Më pas videoja shfaqi trupin e pajetë, që dukej se i përkiste asaj. Hamas tha se ajo u vra gjatë një sulmi izraelit, pa dhënë dëshmi.

Ushtria izraelite nuk konfirmoi menjëherë vdekjen e saj pas publikimit të videos, por tha se Hamasi “vazhdon të shfrytëzojë terrorizmin psikologjik dhe të veprojë në mënyrë çnjerëzore përmes videove dhe fotografive të pengjeve”.

Hamas ka thënë se dhjetëra pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, por nuk ka dhënë prova për këto pretendime. Izraeli i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe i ka cilësuar si luftë psikologjike.

Izraeli, që po lufton me Hamasin që nga 7 tetori, është zotuar për kthimin e pengjeve. Hamasi i ka ofruar lirimin e pengjeve në këmbim të palestinezëve që mbahen në burgjet në Izrael, por Izraeli ka hedhur poshtë një ofertë të tillë, duke u zotuar se do të shkatërrojë Hamasin.

Exit mobile version