Ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, personi i cili u plagos të dielën në Gjakovë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
“Po, viktima ka vdekur rreth orës 19:50 në QKUK në Prishtinë”, deklaroi Xhurkaj.
Ndërkaq sipas policisë, 46-vjeçari, ishte gjetur i plagosur në vendin e quajtur Shkugez.
Policia në Gjakovë kishte pranuar informatën rreth orës 13:00, për një person i cili është vërejtur nga dëshmitarët me plagë në kokë.
Gjurkaj thotë se policia me të arrirë në vendin e ngjarjes kishte gjetur edhe një pistoletë dhe automjetin e viktimës.
Lidhur me rastin theksoi se deri me tani nuk dihen shkaqet e vrasjes.
“Gjatë ekzaminimit vendit ngjarjes, janë gjetur një gëzhojë në afërsi dhe një armë zjarri, po ashtu dhe automjeti. Provat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes”, deklaroi ai.
Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar dhe për rastin kanë filluar hetimet.