Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 19 Majit në Castelnuovo di Bergonovo në Itali, ku një shqiptar, 43 vjeç, ka humbur jetën pasi u përplas me një pemë.
Mediat italiane shkruajnë se viktima është Dritan Mera. 43-vjeçari shqiptar e ka kaluar mbrëmjen në shoqërinë e miqve të tij në një lokal në zonë, por teksa po shkonte drejt La Pernice, ka humbur kontrollin e makinës së tij, një Peugeot 308, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë.
Mera u gjet pa ndjenja në timon mes llamarinave të shkatërruara. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë nga aty por fatkeqësisht lëndimet e marra ishin të rënda dhe ai kishte ndërruar jetë.
Mësohet se Policia ka nisur hetimet dhe trupi i pajetë është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.
Siç duket nga këto pamje, përplasja ka qenë shumë e rëndë. Për pasojë është dëmtuar pjesa e përparme e makinës.