Ka ndërruar jetë mësimdhënsja nga Ferizaj, Zyhrije Vata.
Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë këtë mëngjes, kryetari i këtij qyteti, Agim Aliu.
“I rëndë është ky mëngjes nëntori, kjo ditë që zbardhi me lajmin mortor, për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses, moderatores e recitatores me zërin e saj të veçantë, krijueses, drejtores së shkollës “Vezir Jashari” në Ferizaj, bashkëqytetares sonë shembullore, personalitetit të veçantë që dha kontribut të çmueshëm në arsimin e kulturën ferizajase, ferizajases së shquar, Zyhrije Vata”, shkruan Aliu.
Ky i fundit ka treguar për karakteristikat e ish-drejtoreshës së shkollës “Vezir Jashari” në Ferizaj.
“Buzëqeshja e saj, karakteri pozitiv, dinjiteti që rrezatonte, profesionalizmi e përkushtimi i rrallë, janë vetëm disa nga vlerat që shquan jetën e bashkëqytetares sonë, Zyhrije Vata”.
“Lamtumira e saj, lë prapa veprën e pasur, trashëgimin e çmueshme, kujtimet më të dashura të zonjës Zyhrije, që me sakrifica, dije, mund, gjithnjë kokëlartë edhe para sfidave shëndetësore, trasoi rrugën e saj të jetës”.
“Ferizaj në 150 vjet të lindjes së tij, do ta mbaj me nder ndër vite të historisë, moderimin e saj në koncertin e jubileut festiv, personalitetin të saj të dashur që mishëronte qytetari e mirësi”.
Aliu tutje i ka shprehur ngushëllime familjes Vata, miqve, kolegëve dhe gjithë të njohurve të të ndjerës.
“Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Vata, miqve, kolegëve dhe gjithë të njohurve të të ndjerës! U prehtë në parajsën e paskaj, shpirti i saj”!