Schwarzenberg, i cili ka vdekur në moshën 85 vjeçare, ka shërbyer si ministër i jashtëm i Çekisë nga viti 2007 deri më 2009. Pikërisht në këtë kohë dikasteri që e drejtonte kishte njoftuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, vendim që kundërshtohej në nivele tjera të pushtetit, ose më saktë nga Presidenti atje. Ai është njeriu kyç që u angazhua për njohjen.
Çekia kishte njohur Kosovën më 21 maj 2008. Vendimi ishte bërë i ditur përmes një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë e cila kishte njoftuar se është miratuar propozimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel shtetëror me Kosovën.
Republika e Çekisë është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ministri i Jashtëm, Karel Schwarzenberg, asokohe kishte deklaruar se vendimi është jopopullor por kishte mbrojtur vendimin e qeverisë duke thënë se Kosova e pavarur ishte një realitet dhe se diplomacia çeke tani do të jetë në gjendje të ndjekë politika aktive jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Serbisë.
Ne fakt, Schwarzenberg, rreth një muaj para shpalljes së pavarësisë kishte qëndruar në Kosovë ku edhe kishte paralajmëruar se Kosova do të bëhej e pavarur. Ai kishte thënë se Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Gjatë takimeve që kishte zhvilluar me liderët kosovarë, kishte theksuar se treni i Kosovës është duke ecur mirë në binarët e tij dhe se në këto momente ajo që më së shumti duhet, është sjellja paqësore nga ana e kosovarëve.
“Nuk duhet të harrojmë se tani Kosova është një komunitet autonom, që shumë shpejt do të bëhet shtet i pavarur”, kishte thënë ministri çek, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu.
Ministri çek kishte deklaruar se pozicioni i Çekisë karshi shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të jetë në përputhje me atë të vendeve tjera të Bashkimit Evropian. “Mendoj se do të veprojmë në koordinim me shtetet tjera të BE-së, do të kemi diskutime në Bruksel dhe mendoj se do të vendosim një qëndrim të përbashkët”.
Më vonë, teksa i komentonte përpjekjet e ish- Presidentit të Çekisë Milos Zeman për anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës, Schwarzenberg përgjigjej me ironi.
“Ai është kundërshtar i vjetër i Kosovës, siç e dimë, ne ende nuk kemi ambasador në Kosovë e as Kosova te ne, sepse ai nuk e ka nënshkruar këtë. Prandaj, ne kemi marrëdhënie të çuditshme. Ai (Zemani) është President i qëndrimit serb, mirëpo për fatin e tij të keq në tashmë e kemi njohur Kosovën.”
Schwarzenberg ishte kandidat për President të Republikës Çeke në zgjedhjet presidenciale të vitit 2013 duke ia dalë të kualifikohet në raundin e dytë. Schwarzenberg shquhej për pikëpamjet e tij pro-evropiane. Ai ishte kreu i Shtëpisë së Schwarzenberg, familje dikur udhëheqëse e perandorisë Habsburge, nga viti 1979 deri në vdekjen e tij. Ai është i afërm me Princin Feliks të Schwarzenberg, një burrë shteti i Perandorisë Austriake. Nga viti 1948 deri në vitin 1990, ai jetoi në Austri, ku njihej si Karl Schwarzenberg, dhe u përfshi në politikë si pjesë e Partisë Popullore Austriake dhe u bë një kritik i njohur kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Bllokun Lindor, ndërsa ishte kryesues i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të drejtat e njeriut. Pas rënies së komunizmit, ai u zhvendos në Pragë dhe u emërua këshilltar i ngushtë i Václav Havel.