Një vdekje që nga familjarët po konsiderohet e dyshimtë është denoncuar mbrëmë nga një burrë në Prishtinë, i cili ka raportuar se nëna e tij ka ndërruar jetë si pasojë e mos ofrimit adekuat të trajtimit mjekësor në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Si rezultat i denoncimit, tashmë kanë nisur hetimet dhe janë zbuluar detaje e para të rastit.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se viktima është një 76-vjeçare, e cila ishte dërguar nga djali i saj në Emergjencë dhe pritej që nga kjo qendër të transferohej në Klinikën e Kardiologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.
Por derisa ishte në Klinikën Emergjente, Sinjali mëson se e moshuara ka ndërruar jetë dhe sipas djalit të saj, ajo ka vdekur pasi ekipi mjekësor nuk ia ka dhënë ndihmën e nevojshme.
Megjithatë, një gjë e tillë është mohuar nga stafi në Emergjencë, të cilët kanë deklaruar para Policisë se ia kanë ofruar trajtimin e duhur mjekësor viktimës.
Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse, teksa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe marrjen e të gjitha veprimeve që çojnë në zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga QKUK, teksa është bërë me dije se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e gjendjes shëndetësore.
Sinjali do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja.