Site icon PrishtinaPress

Vdes babi i heroit Afrim Zhitia, liderët politik shprehin ngushëllime

Sot ka ndërruar jetë Osman Zhitia, babi i heroit Afrim Zhitia. Me këtë rast ngushëllime kanë shprehur liderët politik në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçin tha se vdekja e Osman Zhitisë e ka pikëlluar pa masë. Thaçi ka shkruar se ai ishte burrë i fortë, solidar dhe i respektuar nga të gjithë.

“Më pikëlloi pa masë vdekja e Osman Zhitisë, babait të Heroit të Kosovës, Afrim Zhitia. Osman Zhitia ishte frymëzues i një familjeje atdhetare të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Ai ishte një burrë i fortë, solidar dhe shumë i respektuar prej të gjithëve. Ngushëllime të sinqerta familjes Zhitia dhe gjithë të afërmve të tyre”, ka shkruar Thaçi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Osman Zhitia tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit.

“Baci Osman nuk ishte vetëm babai i Heroit Afrim Zhitia. Ai ishte shembulli i burrit shqiptar që tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit, me të gjitha forcat, deri në frymën e fundit. Sapo mora lajmin pikëllues për ndarjen e tij nga jeta. Dhembjen po e ndajmë së bashku me familjen Zhitia dhe të gjithë ata që e kanë njohur. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

E kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka quajtur lajm të dhimbshëm vdekjen e Osman Zhitisë.

Veseli ka thënë se babi i heroit Afrim Zhitia, ishte atdhetar i madh dhe burim frymëzimi në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Lajm i dhimbshëm vdekja e Osman Zhitisë. Babai i Heroit Afrim Zhitia, baca Osman, ishte atdhetar i madh dhe burim frymëzimi në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jeta e tij ishte mes përkushtimit, qëndresës e krenarisë. Do të na mungojë të gjithëve. Ngushëllime familjes dhe gjithë kombit”, ka shkruar Veseli.

Exit mobile version