Artisti shumëdimensional, instrumentisti, dirigjenti, krijuesi popullor, “Paganini i çiftelisë shqiptare”, Ndue Shyti është ndarë sot nga jeta në moshën 83 vjeçare.
I nderuar me titullin “Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” , Ndue Shyti u cilësua edhe si “Mbret i çiftelisë”, përmes së cilës prodhoi deri edhe në simfoni, duke dhuruar tinguj kaq të harmonishëm e magjik, prej drurit dhe telave, apo edhe fyejve.
Ndue Shyti ka lindur më 10 shtator 1934, në fshatin Gojan i Madh të rrethit të Pukës.
Themelues dhe drejtues i orkestrës popullore pukjane, Ndue Shyti është vlerësuar nga muzikologë, studiues e personalitete të folkloristikës jo vetëm shqiptare por edhe evropiane. Nën drejtimin e tij, Orkestra e Shtëpisë së Kulturës Pukë, arriti mbi 100 instrumentistë, transmeton kp.
Një kolektivizim i të gjitha instrumenteve karakteristike të trevës së Pukës, çifteli, sharki, fyell, lahutë, daulle, bilbil, zumane, gjeth, fuzë etj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur çmimin që Ndue Shyti i solli Shqipërisë nga Franca. Në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Dizhon ,( 30 gusht – 4 shtator 1970) vallet e kostumografia popullore shqiptare, por veçanërisht interpretimi mahnitës i “Artistit të Merituar”, Ndue Shyti”, do të rrëmbente trofeun e madh “Gjerdani i Artë”.
Në 32 vite të krijmtarisë së tij artistike, nga viti 1960 e deri në vitin 2002, Ndue Shyti ka qenë pjesë e 450 koncerteve brenda vendit dhe plot të tjerë jashtë, në 18 shtete dhe 4 kontinente.
Puna, talenti, kontributi i Ndue Shytit për afër një gjysmë shekulli në ruajtjen, pasqyrimin dhe pasurimin e vlerave më të mira etnokulturore mban këto vlerësime: “Qytetar Nderi i Komunës Gjegjan”, Pukë; “Krenaria e Qytetit Pukë”, “Artist i merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në vitin 2013. Në koleksionin e tij ka 17 çmime, urdhra e medalje kombëtare e ndërkombëtare dhe 4 çmime lokale.