Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e policit Rexhep Sejdiu gjatë kohës sa ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.
Sveçla thotë se zyrtari policor që vdiq, ishte i përkushtuar e i angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti, veçanërisht viteve të fundit në veri.
“Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, shkruan Sveçla.
Ministri thekson se polici Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje.
Postimi i tij i plotë:
Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të Zyrtarit Policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.
Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.
Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.