Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë nuk kanë dhënë informacione në rast se dy të akuzuarit, Jakup Krasniqi dhe Haxhi Shala kanë bërë kërkesa për të ardhur në Kosovë me rastin e vdekjes së familjarëve të tyre.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep tha se kuadri ligjor i DhSK-së lejon personat e ndaluar që të bëjnë kërkesa pranë panelit kompetent ku ka bazë humanitare për çka paneli do të vendos më pas.
“Gjithçka që mund t’ju them në këtë pikë në lidhje me të dyja pyetjet tuaja, është se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa pranë Panelit kompetent kur ka baza humanitare bindëse. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, tha Griep në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se në momentin që ka ndonjë informacion në dispozicion dhe publik lidhur me këtë çështje, ajo do të publikohet në faqen e internetit të DhSK-së.
“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë paraqitjet nga Mbrojtja dhe vendimet nga Gjyqtarët publikohen në faqen e internetit të KSC-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm mbi këtë çështje është në dispozicion dhe publike, ajo do të publikohet në faqen e internetit të DhSK-së”, tha Griep.
Ndryshe, rreth dy ditë më parë ka ndërruar jetë vëllai i Jakup Krasniqit, ndërsa sot ka vdekur babai i Haxhi Shalës.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa në rastin tjetër, Më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi