Vdekja e Abu Bakr al-Baghdadit: Një spiun vodhi të brendshmet e udhëheqësit të ISIS-it, gjë që ndihmoi në operacionin ndaj tij

77
Advertisement

Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (SDF) thonë se spiuni i tyre vodhi të brendshmet e Abu Bakr al-Baghdadi, të cilat më pas u testuan për ADN dhe u përdorën për të vërtetuar identitetin e tij para se të vritej.

Advertisement

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, komandanti i lartë i SDF, Polat Can pretendon se burimi i tyre gjithashtu luajti një rol jetësor në gjetjen e vendndodhjes së liderit të Shtetit Islamik (IS) përpara një operacioni nga forcat speciale amerikane në Siri.

Siç edhe është raportuar deri më tani, Baghdadi vrau veten në sulm.

Megjithatë, BBC vlerëson se presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar rolin e forcave kurde.

Kur njoftoi bastisjen më 27 tetor, Z. Trump tha se kurdët ofruan informacione “të dobishme”, por shtoi se ata nuk kishin kryer “një rol ushtarak fare”.

Përkundër kësaj, z. Can këmbënguli se SDF luajti një rol të rëndësishëm në sulmin në një postim në Twitter të hënën.

“E gjithë inteligjenca dhe qasja në al-Baghdadi si dhe identifikimi i vendit të tij ishin rezultat i punës sonë. Burimi ynë i inteligjencës ishte i përfshirë në dërgimin e koordinatave, pjesëmarrjen dhe bërjen e operacionit të suksesshëm deri në minutën e fundit!”, tha ai.

Can shtoi se SDF kishte punuar me CIA për të ndjekur Baghdadin që nga 15 maji, dhe kishte zbuluar se ai po fshihej në provincën Idlib, ku ndodhi sulmi.

Burimi, thotë zoti Can, kishte zbuluar se udhëheqësi i ISIS-it ishte gati të transferohej në një lokacion të ri në Jarablus.

Ndryshe, SDF kanë qenë aleatët kryesorë të SHBA-së në betejën kundër grupit të Shtetit Islamik (IS), por në fillim të këtij muaji zoti Trump tërhoqi trupat amerikane nga Siria veriore.

Analistët thonë se tërheqja e SHBA-së i dha Turqisë dritën e gjelbër për të filluar një sulm ndërkufitar mbi rajonin. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës