4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Vazhdon protesta për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna

Me thirrjet “Shkarkoni gjyqtarët dhe prokurorët patriarkalë”, “Asnjë më”, “Gra armatosuni”, “Nuk durojmë më”, qindra qytetarë u mblodhën për herë të dytë brenda një jave në Prishtinë, për të shprehur revoltën ndaj dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave.

Protestuesit fillimisht më 5 shtator ndaluan para ndërtesës së Qeverisë, Policisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe, pastaj para Këshillit Prokurorial, ku kërkuan edhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këtu deri sa Prokuroria të na tregojë përfundimisht që është me viktimat e jo dhunuesin”, tha një protestuese.

Dorëheqjen e Munishit më 4 shtator e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.

Shkas i këtyre protestave u bë rasti i përdhunimit të një vajze 11-vjeçe, më 27 gusht, në një park të Prishtinës.

Rastin e 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë rastin në dy vepra të ndryshme penale.

Veç masës së paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë është caktuar edhe për gjashtë të dyshuar tjerë, të cilët siç pretendohet nga institucionet e drejtësisë, në qershor kishin trafikuar, dhunuar dhe shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale.

Kërkesat e protestuesve

Protestuesit kanë disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës. Ndër tjera ata kërkojnë legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve që nuk e kanë kryer punë e tyre, krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës, futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla dhe sigurinë si dhe drejtësi e rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Për kërkesën për përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje, më 4 gusht, ministrja Haxhiu tha se janë caktuar dy grupe punuese në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të bërë analizën ligjore dhe atë të sigurisë.

Me MPB-në tha se janë në komunikim edhe për të përmbushur kërkesën për krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës. Ndërsa me ministrinë e Arsimit tha se janë në komunikim për të përmbushur kërkesën e protestuesve për futjen e lëndës së edukatës seksuale nëpër shkolla.

Për shkarkimin e zyrtarëve, Haxhiu tha se “disa janë shkarkuar dhe do të vijojmë edhe me të tjerë”.

E për kërkesën për sigurim, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ajo tha se ato përfshihen në shumë prej aktiviteteve të Strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje 2022-2026.

Më 31 gusht, protestë me kërkesat e njëjta ishte mbajtur në Prishtinë. Në të njëjtën ditë protesta ishin mbajtur edhe në Tiranë e Shkup.

Deri më tani, lidhur me rastin e dhunimit të të miturës në Prishtinë, dorëheqje kanë dhënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. /Rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img