Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë edhe këtë të enjte.
Në seancën e së mërkurës në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtja e tij.
Më 15 shtator, trupi gjykues ka hedhur poshtë mocionin e mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4) në aktakuzë, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DhSK-së.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.