Site icon PrishtinaPress

Vazhdon diskutimi për Asociacionin, mbledhja në rezidencën e Hovenier nis në 18:30

Diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të vazhdojë sot në rezidencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Gazeta Express mëson se mbledhja jozyrtare do të nis në orën 18:30.

Mbajtjen e kësaj mbledhjeje e konfirmoi Ambasada Amerikane.

“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”, i tha gazetës të mërkurën një zëdhënës i Ambasadës.

Pas diskutimit të mbyllur të organizuar nga Ambasada Amerikane më 31 janar, ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republika Srpska-s në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë Hovenier.

Diskutimi në Ambasadë pasoi deklaratat e zyrtarëve amerikanë të cilët thanë se “është koha për themelimin e Asociacionit”.

Pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Kurti e ka pranuar në parim propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vazhdon të ngurrojë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai nuk u ftua në diskutimin për Asociacionin në Ambasadën e SHBA-së, por në të morën pjesë disa përfaqësues të Qeverisë dhe të Presidencës.

Më pas, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit.

Exit mobile version