Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës. Ai tha se kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Replikat mes tij dhe deputetëve të opozitës po vazhdojnë, me akuza e përplasje.
Kurti i tha opozitës së Aleksandar Vuçiqi s’është i interesuar as për draftin e Asociacionit e për asgjë tjetër, por vetëm për marrëveshjen e 2013-ës dhe për ish-pushtetin.
Derisa Kurti ka folur janë dëgjuar kundërshti nga partitë opozitare, ku Kurti si me ironi iu ka bërë thirrje për qetësi.
“Vuçiq po thotë ata po i du. Juve po iu don fort. Por s’jeni ju mo. Jeni në opozitë. Qeveria është tjetër. Ai juve po iu don. Qaq shumë po iu don juve, veç 2013, 2015 thotë. Ky është realiteti. Ju lutemi ruajeni qetësinë partia institucionaliste LDK-ja”, ka thënë Kurti.
Kurti sot në Kuvend tha se përkundër gatishmërisë së tij për nënshkrim, draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar.
“Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.
Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për takimet e fundit në Bruksel.