Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve sot në orët e pasdites kanë arrestuar edhe dy zyrtarë policorë, njërin në Jarinje (pikë kalimin kufitar) dhe tjetrin në Mitrovicën jugore .
Sipas njoftimit, edhe arrestimet e sotshme (zyrtarëve policorë të policisë kufitare me inicialet D.P dhe V.T) janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda” që u zhvillua më 28 maj 2019 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione në veri të vendit dhe më gjerë.
“Operacionit ‘Kontrabanda’ i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në: ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’, në lidhje me veprat tjera penale ‘Kontrabandë me mallra’, ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘dhënie e ryshfetit’, ‘tregti e ndaluar’ etj”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.