E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi ka treguar më shumë rreth kësaj teme në “Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë” më 14 prill.
14 prilli shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se kjo datë për të është e rëndësishme sepse që prej 24 vitesh e ka përjetuar me dhimbje e vuajtje.
Për marshin e sotëm në Prishtinë Krasniqi ka thënë se mund të kishte dhe më shumë njerëz në marsh por sipas saj, institucionet tashmë po zgjojnë më shumë interes.
“Para vitit 2018 ka qenë një temë shumë tabu për shoqërinë tonë për me fol për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë…Shoqëria jonë veçse ka fillu me na përkrah më shumë edhe me u solidarizu me neve”, ka thënë Krasniqi.
Vasfije Krasniqi: Turpi nuk është i viktimave, guximin e mora nga vetvetja
Për guximin për të folur publikisht ka thënë se ka pasur përkrahje nga familje dhe guximin e ka marrë nga vetvetja.
“Turpi nuk është për viktima, turpi është për ata që e bonën, e nëse mshefemi pas krimit, turpit ne mbetemi fajtorë”
Krasniqi ka shtuar se duhet të lajmërohen ende rastet e tilla, rastet në prokurori të sqarohen, të dënohen kryesit e veprës dhe t’u jepet kurojo viktimave të dhunës seksuale, derisa ka theksuar se janë të gatshme të dëshmojnë për këto krime të Serbisë në Kosovë.
Për ligjin për përfitimin e statusit të së mbijetuares së dhunës seksuale, Krasniqi ka thënë se janë 233 raste ku Komisioni nuk ia ka dhënë këtë status, dhe siç thotë ajo kjo është “vdekje” t’i thuhet një viktime se nuk është viktimë.
Gjersa për kontributin e shoqërisë civile, Krasniqi ka thënë se iu nevojitet më shumë përkrahje.