Vasfije Krasniqi Goodman së bashku me përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, do të vizitojnë vendin ku është dhunuar seksualisht para 20 vitesh.
Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës. 20 vjetorin e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për tmerret e përjetuara.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, me ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018, foli për herë të parë publikisht për përjetimin e saj gjatë luftës.
Më 14 prill 1999, Vasfije Krasniqi Goodman; në atë kohë 16 vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost të komunës së Obiliqi), ku u dhunua seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.
Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuara drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.