Pas arrestimit të qytetarit të Kosovës në Serbi, Nezir Mehmetaj, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës thotë se alarmuar Bashkimin Evropian.
Përmes një njoftimi për media MPJ thotë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është aktive dhe po merr të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezir Mehmetaj, familja e të cilit tashmë ka angazhuar edhe një avokat lokal.
Sipas MPJ-së, Mehmetaj është transferuar në qendrën e paraburgimit në Beograd, është marrë në pyetje nga hetuesit serbë dhe po rëndohet me akuza politike.
“MUP-i serb ka kryer krime lufte në Kosovë, dhe ky institucion, si i tillë, nuk mundet dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë kurrë një rol drejtësie ndaj shtetasve kosovarë. Nëse ndonjë institucion apo individ është përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë, është vet MUP-i serb, udhëheqja e tij e mëparshme dhe aktuale”, thuhet në njoftim, njofton Telegrafi.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se është në kontakt të ngushtë me Brukselin, dhe ka lajmëruar institucionet e Bashkimit Evropian për arrestimin e Mehmetaj, si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovar.
“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar. Kjo praktike është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet tutje.
MPJ thekson se mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e Neziraj dhe kthimin e tij në familjen e tij.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme përsërit thirrjen e majit 2019, me anë të së cilës nxiten qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt dhe përmes Serbisë, për shkak të ndjekjes politike të shtetasve kosovarë me akuza të motivuara politikisht nga qeveria serbe.
Lidhur me arrestimin e Mehmetajt, pati reagime të ashpra.
Vetëvendosje kërkon lirimin e Nezir Mehmetajt: Arrestimi i tij tregon se Serbia vazhdon qëndrimin agresiv ndaj Kosovës.
Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zyra e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.