Site icon PrishtinaPress

Varlehyi: BE-ja nuk po bën garë me ndihmat për Ballkanin

Komisionari për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk është në garë me asnjë vend tjetër kur bëhet fjalë për ndihmën që dërgon në vendet e Ballkanit Perëndimor, për të luftuar pandeminë COVID-19.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 mars, e kishte kritikuar hapur Bashkimin Evropian se “solidariteti evropian” ishte thjesht “një përrallë”, duke shtuar se vetëm Kina “mund të na ndihmojë në këtë situatë të vështirë” pas përhapjes së koronavirusit.

Disa ditë më vonë, një aeroplan me ndihma mjekësore kineze dhe një ekip këshillues mjekësor, ateroi në aeroportin e Beogradit.

Më 2 prill, Vuçiq konfrimoi se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se një “ndihmë e rendësishme” po vjen në Serbi.

I pyetur nëse Kina dhe Rusia ishin më të shpejta në ofrimin e ndihmës për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor sesa që ishte Bashkimi Evropian, komisionari Varhelyi thotë se BE-ja ka qenë e shpejt në ofrimin e ndihmës.

“Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është që presidenti (serb Aleksandar Vuçiq) e sqaroi menjëherë se ne jemi ata që po ndihmojmë më shumë. Dhe ne kemi siguruar 7.5 milionë euro për Serbinë, derisa Kina ka siguruar 5 milionë euro ndihmë. Kështu që unë mendoj se duhet të shikohet në shifra. Ne jemi partnerët më të mëdhenj tregtarë, jemi investitorët më të mëdhenj përkatësisht me mbi 70 dhe 80%. Pra, ne vazhdojmë të jemi partnerët më të rëndësishëm në rajon”, tha komisionari Varhelyi.

Ai thotë kjo nuk është një garë, por duhet të shikohet vetëm si ndihmë dhe asgjë më shumë.

“Kjo nuk është një garë që ne po zhvillojmë. Kjo ka të bëjë me ndihmën. Ne e ndajmë kontinentin me këto vende. Nëse nuk arrijmë të kemi të njëjtin nivel të mbrojtjes, të njëjtin nivel të strategjisë dhe të njëjtin nivel koordinimi midis nesh dhe tyre, atëherë epidemia mund të rishfaqet”, thotë Varhelyi.

Ndihma ndaj Ballkanit në tri faza

Këtë javë, Komisioni Evropian ka premtuar 411 milionë euro për Ballkanin Perëndimor dhe 140 milionë të tjerë për vendet e Partneritetit Lindor.

Komisonari Verhelyi thotë se ekzistojnë tri prioritete sesi planifikohet të shpenzohen këto mjete.

Ndihma e parë, sipas tij, bazohet në nevojat urgjente, pra sigurimi i mjeteve mbrojtëse mjekësore dhe pajisjeve tjera, për këto vende. Kjo në fakt, sipas tij, ka qenë edhe kërkesa e këtyre vendeve drejtuar Komisionit Evropian.

“Ajo që ato kërkuan, mendoj pa asnjë përjashtim, janë pajisjet mjekësore. Pra, atyre u mungojnë maska, ventilatorë dhe pajisje të tjera mbrojtëse personale. Prandaj, ne duhet t’i ndihmojmë. Dhe kjo është ajo për të cilën kemi mobilizuar paratë. Ne ishim në gjendje të dorëzojmë serinë e parë të ventilatorëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne kemi dërguar pajisje në Serbi, dhe ne jemi duke punuar me Kosovën, që gjithashtu ky vend të pranojë ventilatorë, por edhe makina të ambulancës”, konfirmoi komisionari evropian.

Këto mjete për Kosovën do të sigurohen nga shuma prej 5 milionë euro të cilën BE-ja i ofroi Kosovës për luftimin e COVID-19.

Kontrata për ndarjen e këtyre mjete u nënshkrua më 5 mars.

Si prioritet të dytë, Komisioni Evropian do t’i ketë nevojat afatshkurtëra dhe afatmesme, kur bëhet fjalë për ndërtimin ose konsolidimin e institucioneve shëndetësore dhe sociale.

Dhe e treta, sipas Varhelyit do të jetë situata pas krizës së pandemisë, kur vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin masa për shmangjen e një tronditjeje të madhe në aspektin ekonomik.

Se Kosova do të përballet me një krizë ekonomike, e konfirmoi edhe guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili gjatë një konference për media të mbajtur më 3 prill tha se parashikimet paraprake të BQK-së sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020. /rel/

Exit mobile version