Gazetari Valon Syla ka publikuar një fotografi ku shihet babai i tij bashkë me ish-presidentët Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi, për të cilën thotë se është shkrepur në ditën kur kishte nisur punën blloku B2 në termocentralin Kosova B.
Syla ka shkruar në Facebook se në kohën kur babai i tij e kishte startuar bllokun në termocentral, nuk kishin përgatitur hallvë.
“Baba jem Agim A. Syla kur e ka startu bllokun në Kosova B, në vitin 2000… por atëherë, nuk qitshin hallve”, ka shkruar Syla.
Këto deklarata të Sylës vijnë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, të hënën në Kuvend tha se është gëzuar dhe e ka uruar ministren Artane Rizvanolli me rastin e lëshimit në funksion të Bllokut B.
“Po bëni hajgare me Bllokun B, por unë kam shkuar për përhajër te Ministrja për Bllokun B. Hallvë kena qitë. Gëzim more është, ju duhet ta kuptoni se janë 250 megavat në orë, po besoj që edhe ju jeni të gëzueshëm”, deklaroi Basha.