Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka kujtuar me emocione e krenari natën kur heroikisht ranë dëshmorë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Murati me një rrëfim prekës, kujton 2 nëntorin e vitit 1989, atëbotë kur dy patriotë të çështje kombëtare, rënë dëshmorë në luftën ndaj pushtuesit serb.
“Sot 29 vjet ranë udhëheqësit e lëvizjes ilegale çlirimtare (LPRK-së), intelektualët e rinj e militantët e lirisë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Nuk do ta harroj asnjëherë 2 nëntorin e vitit 1989. Isha në vitin e parë në shkollë të mesme, dhe atë mbrëmje duke u kthyer në banesën ku jetoja në Kodër të Diellit, lëvizjet ishin të pamundshme. Dëgjoheshin krisma armësh, erë gazi lotsjellës e kishte shumë lëvizje të policisë. Me Driton Avdiun lëvizëm përmes Ulpianës, ka banesa e tij, duke diskutuar të shqetësuar për atë se çka po ndodh.
E dinim se ka luftime, dhe i parafytyronim militantët që po luftojnë, si modelet më të mira të luftëtarëve të lirisë. E takuam tek fontana e Ulpianës edhe axhën tim Nagipin me gruan e tij Rrushin, të cilët na treguan se vërtetë ka luftime serioze në Kodër të Diellit dhe se dyshohet se ka të vrarë. Në ditët në vijim, e kuptuam gradualisht se çka kishte ndodhur dhe se ishin vrarë dy të rinj në një betejë të gjatë me policinë. Atë natë, dhe ato ditë, nuk isha i vetëdijshëm se kjo ngjarje do të bëhej një moment i rëndësishëm i jetës sime dhe shokëve të mi.
Një moment frymëzimi dhe mobilizimi. Nuk e dija, se me të dy familjet e dëshmorëve, sidomos me vëllain e Fahriut, dëshmorin Bahri Fazliun do të krijoja një lidhje të pashkëputur njerëzore sepse do ta kisha udhërrëfyes, bashkëveprimtar e bashkëluftëtar në përpjekjet e përbashkëta çlirimtare, në kuadër të LKÇK-së, ashtu siç do ta kisha shok e bashkëveprimtar të ngushtë, po në kuadër të LKÇK-së edhe nipin e Afrim Zhitisë, Liburn Aliun. Sot Kosova ka probleme e telashe por është çliruar, mu si rezultat i dëshmorëve, të cilët besuan në lirinë atëherë kur ishte më së vështiri. Ne sot nuk na mbetet tjetër, por vetëm që kujtimin për dëshmorët ta lidhim me përkushtimin që Kosovën ta bëjmë një vend më të mirë për fëmijët tanë, një vend çfarë ata e kanë dashur. U qoftë i lehtë dheu i tokës nënë” shkruan Murati.